Akademia e Arbitrimit, filloi sot Edicioni i Dytë - FSHF

Akademia e Arbitrimit, filloi sot Edicioni i Dytë

Akademia e Arbitrimit, një nga prioritetet e mëdha të Federatës Shqiptare të Futbollit, ka filluar ditën e parë të muajit tetor lekionet teorike, duke hapur në këtë mënyrë vitin akademik për këtë kurs. Ky është edicioni i dytë që Sektori i Arbitrimit organizon këtë kurs për të rinjtë që dëshirojnë të bëhen pjesë e futbollit duke vendosur drejtësi në fushën e lojës.

Në edicionin e parë, organizuar dy vite më parë, u diplomuan 75 arbitra femra dhe meshkuj, të cilët janë sot pjesë e futbollit shqiptar. Këtë edicion janë regjistruar plot 90 studentë që do të ndjekin kursin, nga të cilët 14 janë femra. Pjesëmarrësit në këtë kurs do të marrin njohuritë bazë të Rregullave të Lojës, të përgatiten fizikisht dhe të kenë të gjitha njohuritë e nevojshme për një arbitër të ri. Kursantët janë të moshës 14-22 vjeç, kjo kërkesë vjen si rrjedhojë e orientimeve nga FIFA dhe UEFA për vetë specifikat e këtij profesioni, ku është parë se mosha ideale për të filluar karrierën është 15-16 vjeç dhe të vijojë paralelisht me moshat e reja në garën e futbollit. Gjatë zhvillimit të programit të kursit, që është organizuar me dy faza, faza e prezantimit dhe ajo e konsolidimit, do të referojnë ekspertë nga bota e arbitrimit shqiptar, psikologjia sportive, mjekësia sportive, përgatitës fizik dhe lektorë të gjuhës angleze.

Të diplomuarit në fund të kursit do të pajisen me diplomën “Arbitër i Kategorisë së Tretë” dhe karriera e tyre do të fillojë në Kolegjiumet e qyteteve nga vijnë duke arbitruar në kampionatet e moshave.