"Air Albania Stadium" mirëpriti për herë të parë derbin e kryeqytetit, Partizani-Tirana - FSHF

“Air Albania Stadium” mirëpriti për herë të parë derbin e kryeqytetit, Partizani-Tirana

Tempulli më i madh i futbollit shqiptar, “Air Albania Stadium”, ka mirëpritur sonte në një atmosferë festive derbin e kryeqytetit, Partizani 1-2 Tirana.

Në një stadium të tejmbushur, plot 20 mijë sportdashës, ku nuk mungonin familjarët e fëmijët si asnjëherë në vendin tonë. Ata kanë duartrokitur ekipin e zemrës së tyre, për 90 minuta plot emocion. Data 13 dhjetor 2019 do të mbahet mend dhe do të futet në histori si ndeshja e parë e Kategorisë Superiore, që u luajt në investimin më të madh në sportin shqiptar, që ka parë vendi ynë.

Derbi i kryeqytetit daton prej fillimit të vitit 1946 dhe që prej asaj kohe ka vijuar me një interes përherë në rritje, me grintë, duel sportiv dhe spektakël. Organizimi i kësaj super-përballjeje në impiantin e ri dhe modern të Shqipërisë, i dha derbit një imazh tjetër, si dhe sportdashësve një mbrëmje të paharruar.

“Sot u ndjeva e mrekulluar. Jam shumë e kënaqur që skuadra ime e zemrës fitoi, por dhe për atmosferën që përjetova në stadium. Jam ndjerë si në Juventus Stadium, ku kam shkuar për të skuadrën që pëlqej në Itali. Ishte një mbrëmje europiane për futbollin tonë, një kartolinë e bukur në prag festash, na duhej kjo natë pas vështirësive qe kemi kaluar”, u shpreh Ina, një tifoze e Tiranës që kishte ardhur në “Air Albania Stadium” sëbashku me mikeshat e veta. E kënaqur dhe plot buzëqeshje e përshkruan mbrëmjen e Derbit edhe Xhilda, një tifoze e Partizanit e cila kishte ardhur me partnerin në stadium, dhe të vetmin problem e gjeti te humbja e skuadrës së saj. “Jam pak e mërzitur se skuadra ime humbi një ndeshje “jete”, por jam shumë e emocionuar për atë që përjetova në stadium. Një spektakël në çdo drejtim, fëmijë, femra, njerëz që kishin ardhur në stadium për një ditë ndryshe. Unë dua që tifozët të jenë në stadiumet shqiptare çdo ndeshje dhe ultrasët të shajnë më pak(qesh)”.