“Abissnet Superiore”/ Të shtunën luhet java e 36-të, katër ekipe për garë për vendin e fundit në “Final Four” - FSHF

“Abissnet Superiore”/ Të shtunën luhet java e 36-të, katër ekipe për garë për vendin e fundit në “Final Four”

Java e fundit e kampionatit të rregullt në “Abissnet Superiore” do të luhet të shtunën në orën 16:00.

Skënderbeu, Tirana, Teuta dhe Dinamo City do të luftojnë deri në minutën e fundit për vendin e katërt në “Final Four”.

Skënderbeu do të përballet në stadiumin “Loro Boriçi” me Vllazninë. Korçarët kërkojnë fitoren për të siguruar vendin e katërt, ndërsa kuqeblutë synojnë triumfin për të shpresuar deri në fund për vendin e dytë në kampionat.

Në “Egnatia Arena” do të luhet ndeshja Egnatia – Tirana. Kryesuesit e “Abissnet Superiore” me fitoren e fundit ndaj Dinamo City siguruan vendin e parë dhe vijnë të qetë në këtë sfidë, ndërsa bardheblutë luajnë vetëm për fitore, për të shpresuar deri në fund për “Final Four”.

Në “Niko Dovana” do të zhvillohet një tjetër përballje e fortë mes Teutës dhe Dinamo City. Objektivi i të dyja skuadrave është vetëm fitorja.

Partizani në “Arenën e Demave” do të synojë fitoren e pestë radhazi ndaj Erzenit për të siguruar edhe vendin e dytë në kampionat, ndërsa në Laç do të luhet sfida Laçi – Kukësi.

Të gjitha ndeshjet e kampionatit “Abissnet Superiore” do të transmetohen live në kanalet MCN TV, MCN 24 dhe Tring Sport.