Abissnet Superiore / Përfundon java e 28-të, fitojnë Teuta, Kukësi, Skënderbeu e Tirana - FSHF

Abissnet Superiore / Përfundon java e 28-të, fitojnë Teuta, Kukësi, Skënderbeu e Tirana

Është luajtur java e 28-të e kampionatit “Abissnet Superiore”. Kjo javë prodhoi rezultate surprizë pasi u mundën tre vendet e para Egnatia, Vllaznia dhe Partizani, teksa gara për “Final Four” bëhet akoma dhe më interesante.

Egnatia e vendit të parë u mposht nga Skënderbeu me rezultatin 2-0. Korçarët zhvilluan një ndeshje shumë të mirë dhe tani renditen në vendin e katërt me 40 pikë.

Kukësi i vendit të fundit mundi Vllazninë në “Kukës Arena” me rezultatin 2-0. Shkodranët humbën një mundësi të artë, pasi në rast fitoreje do të merrnin vendin e parë në renditje.

Edhe Partizani u mund nga Teuta, që triumfoi në “Niko Dovana” me rezultatin minimal 1-0. Ndërsa takimi Erzeni-Laçi përfundoi në barazim pa gola 0-0.

Java e 28-të e “Abissnet Superiore” u mbyll me sfidën Tirana-Dinamo City. Në stadiumin “Air Albania” triumfuan bardheblutë me rezultatin 3-2.