Europiani “Francë 2016”, sa vjen e bëhet më i afërt dhe i dashur për shqiptarët, në Shqipëri dhe kudo që ndodhen në botë. Njohja me axhendën e skuadrës, me përgatitjet e saj, promocionet e shumta dhe ndjekja e gjendjes së futbollistëve të skuadrës kombëtare, kanë qenë disa nga gjërat më interesante të kësaj periudhe përpara Europianit. Ndërkohë që përveç se aktivë në rrjetet sociale, tifozët kanë qenë të tillë edhe në konkursin e hapur nga UEFA për slloganin e autobusit me të cilin skuadra jonë kombëtare do të lëvizë në Europianin e Francës. Për të 24 finalistët, UEFA promovoi një konkurs për zgjedhjen e slloganit për seicilën skuadër. Dje, u publikuan edhe slloganet fituese, të cilat do të banerojnë mjetet me të cilat do të udhëtojnë skuadrat.
Për Shqipërinë është votuar sllogani i njohur “O sa mirë me qenë shqiptar”, i cili ka marrë edhe më shumë nominime. Ky slogan do të shoqërojë ekipin kombëtar në të gjitha lëvizjet e tij me autobus, në Francë. Ai do të bëjë të ndjehen më krenarë, jo vetëm futbollistët dhe stafin por edhe të gjithë shqiptarët.
Slloganet patriotike, kanë qenë pjesë e fushatës përgatitore të skuadrës tonë kombëtare për finalet e Kampionatit Europian “Francë 2016”. Më herët FSHF, vendosi në bluzat zyrtare të skuadrës kombëtare, vargjet e njohura të Naim Frashërit “Ti Shqipëri më jep nder”. Duket se pjesëmarrja e Shqipërisë në Kampionatin Europian, përveç kënaqësisë së madhe sportive që u ka sjellë të gjithë shqiptarëve kudo në botë, ka rritur ndjeshëm edhe ndjenjën e krenarisë kombëtare.

















