Vrioni e ka lënë pas dëmtimin, rikthehet me gol për Juventusin U-23 - FSHF

Vrioni e ka lënë pas dëmtimin, rikthehet me gol për Juventusin U-23

Lajm i mirë për Kombëtaren shqiptare e veçanërisht për sulmin kuqezi. Sulmuesi Xhakomo Vrioni ka shënuar të dielën gol me Juventusin U-23, që militon në Serinë C të Italisë.

Vrioni realizoi nga pika e bardhë e 11-metërshit në minutën e 92-të, duke i dhënë fitoren 1-0 skuadrës bardhezi ndaj Carrareses. 22-vjeçari hyri në lojë në minutën e 78-të të takimit, duke u kthyer në protagonist.

Kujtojmë se Vrioni pësoi një dëmtim të rëndë nëntorin e vitit të kaluar dhe iu nënshtrua një operacioni, që rezultoi me sukses. Në mesin e janarit ai nisi fazën rikuperuese, ndërsa prej pak ditësh është kthyer në dispozicion të skuadrës pasi është në gjendje optimale fizike.

Shqiptari e ka treguar edhe këtë të dielë se po rigjen formën e tij të dikurshme, teksa ky ishte goli i dytë sezonal i Vrionit me Juventusin U-23, ku është aktivizuar në 6 ndeshje në Serinë C. Jo pak herë ai ishte grumbulluar edhe me skuadrën e parë të Juventusit në nisje të sezonit.