Vizita në Tiranë, Presidenti Duka priti në takim Presidentin e Federatës Gjermane të Futbollit, Bernd Neuendorf - FSHF

Vizita në Tiranë, Presidenti Duka priti në takim Presidentin e Federatës Gjermane të Futbollit, Bernd Neuendorf

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka priti sot në një takim Presidentin e Federatës Gjermane të Futbollit, Bernd Neuendorf. Fillimisht, presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit, i cili shoqërohej edhe nga shefi i Marrëdhënieve me Jashtë në FGJF, Patrick Wolf, vizitoi mjediset e stadiumit kombëtar “Air Albania” dhe u njoh me këtë kryevepër infrastrukturore që pak muaj më parë priti edhe finalen e parë historike të kompeticionit ndërkombëtar për klub UEFA Conference League, AS Roma – Feynoord. Të pranishëm në këtë vizitë ishin edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi dhe presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muamed Sejdini.

Federata Gjermane të Futbollit është një më të mëdhatë në botë, ndërkohë që Neuendorf është zgjedhur në krye të këtij institucioni në muajin mars. Pas stadiumit presidenti i FGJF-së vizitoi Shtëpinë e Futbollit, ku u takua me anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së dhe përfaqësues të lartë të Federatës. Neuendorf, i cili bëri edhe një tur në muzeun e FSHF-së, u njoh me projektin e Shtëpisë së Futbollit dhe u shpreh i impresionuar për progresin që ka bërë futbolli shqiptar ndër vite. Gjatë takimit ai u njoh me mënyrën se si funksionon Federata Shqiptare e Futbollit dhe strukturën e saj, rrugën që ka bërë futbolli shqiptar ndër vite si edhe me statistikat e futbollit në vend që nga moshat e vogla e deri te ekipet kombëtare.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, pasi i uroi edhe një herë mirëseardhjen në Shqipëri, tha se këto vizitë janë mjaft të vlefshme për të shkëmbyer eksperiencat, mendime dhe sugjerime për të përmirësuar futbollin në vendet tona. “Ju falënderoj shumë për vizitën e sotme në ambientet e Shtëpisë së Futbollit. Dua të them se këto vizita janë shumë të rëndësishme për t’u njohur me eksperiencat e gjithsecilit dhe ndarë mendime për mënyrën sesi mund të përmirësohemi më tej në punën tonë. Kam këtu edhe homologët e mi të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, dhe duhet të them se ne me të vërtetë jemi 3 vende të vogla, secila me vështirësi dhe specifika të ndryshme, por kemi një dashuri të madhe për futbollin, i cili është edhe sporti më popullor në vëndet tona. Si Federatë relativisht e vogël, më duhet të them se edhe ne kemi vështirësitë tona, por falë ndihmës dhe mbështetjes së vazhdueshme të UEFA-s dhe FIFA-s kemi bërë hapa të rëndësishëm përpara. Zhvillimi i futbollit të bazës, edukimi i fëmijëve nëpërmjet futbollit, janë të rëndësishme për ne dhe kjo na ka nxitur që të orientojmë gjithmonë e më shumë buxhete të shtuara për ta. Përtej faktit se Gjermania dhe Shqipëria kanë diferenca të mëdha si vënde, ne jemi të kënaqur kur shikojmë sesi organizimi i Federatave tona është i ngjashëm dhe kjo na vlen shumë për të shkëmbyer eksperienca dhe për të na ndihmuar në projekte të rëndësishme që kemi përpara”, – theksoi Presidenti Duka.

Presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit, Bernd Neuendorf, u shpreh i kënaqur që ndodhet sot në Tiranë dhe vlerësoi pozitivisht rrugëtimin e futbollit shqiptar në këto vitet e fundit, si në aspektin e rezultateve por edhe projekteve të shumta që janë implementuar nga FSHF vitet e fundit. “Jam me të vërtetë shumë i kënaqur që ndodhem sot këtu dhe kam takuar 3 miq të mi si Armand Duka, Agim Ademi dhe Muamed Sejdini. Prej pak kohësh jam në krye të Federatës Gjermane dhe i shikoj këto takime si shumë të rëndësishme për punën time. Këto takime më shërbejnë për të njohur me realitete të ndryshme si dhe për shkëmbyer ide dhe projekte që mund të përmirësojnë futbollin kudo në Europë. Jam me të vërtetë i impresionuar nga rrugëtimi që ka bërë FSHF këto vite, duke njohur rezultate pozitive në arenën ndërkombëtare, duke implementuar projekte të rëndësishme infrastrukturore dhe rritur kapacitet menaxheriale. Jam i bindur se futbolli shqiptar është në duar të sigurta dhe do të njohë së shpejti të tjera arritje falë punës së madhe që po bëhet. Nuk është e vërtetë se Federatat e mëdha siç është ajo gjermane, nuk mund të mësojnë nga Federata të vendeve të vogla si Shqipëria. Ne mund të mësojnë shumë nga vende si ju dhe mund të marrim eksperienca të vyera që mund të na shërbejnë për t’u përmirësuar në shumë procese. Duhet t’ju konfirmoj se jemi plotësisht të hapur për të bashkëpunuar së bashku për projekte konkrete në të mirë të futbollit sepse synimet si Federatë janë të njëjta”, – përfundoi fjalën e tij Bernd Neuendorf.