(Video) Turneu i rajonaleve, Mema: Të rinjtë e kampionatit, produkt i punës në përfaqësueset rajonale - FSHF

(Video) Turneu i rajonaleve, Mema: Të rinjtë e kampionatit, produkt i punës në përfaqësueset rajonale

Ka nisur ditën e sotme turneu i ekipeve përfaqësuese rajonale për moshat U-13, U-14 dhe U-15. Pjesë e këtij turneu janë “kombëtaret” rajonale të këtyre tre grupmoshave nga Tirana, Durrësi, Fieri, Shkodra, Elbasani, Korça, Lezha dhe Gjirokastra, ku janë hapur sëfundmi dhe dy zyrat e reja rajonale të Federatës Shqiptare të Futbollit.

I gjithë sektori i ekipeve kombëtare sëbashku me stafet teknike të skuadrave është duke ndjekur nga afër të gjithë ndeshjet për të evidentuar talentet e rinj që militojnë në kampionatet kombëtare dhe ato rajonale që organizon FSHF.

Për të folur në lidhje me qëllimin dhe objektivat e këtij turneu, Fshf.tv ka realizuar një intervistë me Sulejman Memën, specialistin e futbollin pranë sektorit të ekipeve kombëtare.

“Bilanci i këtij aktiviteti rajonal që ne zhvillojmë për mua është pozitiv. Sot që flasim janë shtuar edhe rajonet, janë 8 të tilla, duke mbuluar të gjithë Shqipërinë. Janë zona që funksionojnë shumë mirë e që kanë stafet përkatëse, kanë trajnerë, trajnerë portierësh, mjekë, përgatitës atletik, të cilët kujdesen me seleksionimet e këtyre grup-moshave te zonat përkatëse. Themi që ka dhënë efekt dhe ka rendiment, sepse gati të gjithë futbollistët e rinj të këtij brezi që po luan në kampionatet shqiptare kanë marrë pjesë në këtë turne rajonalë dhe tani kontribuojnë si në ekipet e para të klubeve dhe janë të promovuar, ndiqen në vazhdimësi nga ana jonë për të pasur cilësinë sa më të mirë. Në këtë formë ne i stimulojmë futbollistët që ne përzgjedhim për këto grup-mosha. Këtë vit janë tre grup-mosha, datëlindjet 2007-2008-2009, ne shikojmë ecurinë e kësaj grup-moshe dhe i evidentojmë edhe të tjerët që do të jenë pjesë e vazhdimësisë të këtyre përzgjedhjeve për elitën e futbollit shqiptar. Them me bindje se është bërë një punë jashtëzakonisht e mirë”, – thotë Mema.

Thelbi është shmangia e kampionatizmit dhe kërkimi i elementëve cilësor. “Ne nuk nisemi nga dëshira e trajnerit për të fituar turneun, ne nisemi nga dëshira dhe objektivi për të evidentuar dhe për të parë, për t’i ndjekur këto lojtarë lidhur me ecurinë që duhet të kenë. Ne i zgjedhim futbollistët dhe një herë në javë zhvillojmë stërvitje me zyrat rajonale. Çështja është si të përmirësohen këta elementë sa më mirë në aspektin kualitativ. Në procesin e vëzhgimit ne i sugjerojmë trajnerëve se çfarë duhet të bëjnë sipas programit stërvitor që ne u kemi dhënë dhe e ndjekim ecurinë e këtyre futbollistëve të rinj”.

Profesor Mema në intervistën për Fshf.tv u pyet edhe në lidhje me punën që bëhet me elementët më cilësor dhe të ardhmen e tyre. “Është në dorën e trajnerëve shqiptarë për t’u kujdesur për rritjen e elementëve të spikatur. Nëse i hedhim një sy në përgjithësi ekipeve kombëtare të moshave, ndoshta rezultatet nuk kanë qenë të mira, por ka shumë elementë të rinj që aktivizohen në klubet e Kategorisë Superiore apo edhe të tillë që janë transferuar jashtë vendit dhe kanë dalë nga seleksionimet e zyrave rajonale. E ardhmja është optimiste, duke parë prurjet në ekipet Kombëtare U-17, U-19, U-21 aty ka shumë talente të përzgjedhur nga ne dhe Kombëtarja A nuk do të vuajë në të ardhmen për lojtarë të rinj. Është shumë e rëndësishme aktivizimi i këtyre futbollistëve dhe trajnimi i tyre për periudhën që ne kemi zgjedhur”, – theksoi eksperti i njohur.