Të premten në mbrëmje, UEFA ka dërguar në FSHF, vendimin e argumentuar të Komisionit të Disiplinës për ndeshjen Serbi – Shqipëri, të zhvilluar më 14 tetor në stadiumin “Partizani” të Beogradit e të ndërprerë në minitën e 41 të ndeshjes. Në lidhje me këtë vendim dhe proçedurat e mëtejshme që do të ndjekë Federata Shqiptare e Futbollit, dje i është përgjigjur interesimit të mediave, avokat Envi Hicka. Si përfaqësues, i studios ligjore “Hajdari-Haxhiaj”, e cila asiston Federatën Shqiptare të Futbollit, në të gjithë veprimtarinë e saj juridike, ai ka bërë një sqarim profesional të ecurisë së çështjes.
“Jemi njohur me vendimin e argumentuar të ardhur nga UEFA, mbrëmë dhe menjëherë kemi nisur punën për të përgatitur materialin për në Komisionin e Apelit. Kemi kontaktuar me zyrat e Gjenevës dhe të Londrës dhe po punojmë për përzgjedhjen e materialit. Natyrisht, që nuk jemi dakort me argumentat e dhëna dhe në tërësi me dënimin. Shpresojmë shumë, që në Apel, argumentat tona të dëgjohen dhe vendimi të ndryshojë në favorin tonë. E gjithë përgjegjësia për organizimin e ndeshjes, i takon vendasve dhe ne kemi faktuar një seri shkeljesh, qe e benin te pamundur vazhdimin e saj”-deklaroi ndër të tjera ai.
Pastaj av. Envi Hicka, i është përgjigjur pyetjeve të shumta të gazetarëve të pranishëm.

















