Duke filluar nga data 1 Korrik 2017, Presidenti i FSHF-së Armand Duka do të jetë me një pozicion të ri, në Komisionet e organizmit të futbollit europian, me detyrën e nën/kryetarit të Komitetit “Hattrick” në UEFA. Ky është një vlerësim i lartë në drejtim të kreut të futbollit për këtë përgjegjësi të re, duke marrë parasysh këtu edhe faktin që krytarët dhe nën/kryetarët e Komiteteve të UEFA-s janë përgjithësisht, edhe anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.
Ky vlerësim vjen pas jo pak vitesh eksperiencë në poste të tilla të vetë kreut të FSHF-së, si zv/Kryetar i Parë i Komiteteve ndër më të rendësishmit të UEFA-s, Komiteti i Federatave Kombëtare, por edhe te Komiteti i Kompeticioneve të Ekipeve Kombëtare, në të cilat Presidenti Armand Duka ka qenë pjesë e tyre, dhe ku ndër vendimet kryesore që janë marrë ndër vite, spikat edhe vendimmarrja për zgjerimin e formatit të Europianit, me 24 skuadra, apo edhe krijimi i eventit që nis shumë shpejt mes skuadrave përfaqësuese, siç është “Nations League”, apo Kupa e Kombeve.

















