U-21 / Shqipëria fiton 2-1 me Kosovën - FSHF

U-21 / Shqipëria fiton 2-1 me Kosovën

Shqipëria e 21 vjeçarëve e drejtuar nga Alban Bushi ka fituar mbrëmjen e sotme ndaj Kosovës me rezultatin 2-1, ndeshje kjo e luajtur mbrëmjen e sotme në “Elbasan Arena”, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian 2021.

Ndeshja ka filluar me epërsinë e kuqezinjve të Bushit që janë treguar më të qartë në lojë dhe më këmbëngulës, duke kërkuar me ngulm golin dhe duke ju afruar rrezikshëm portës së bashkombasve të Kosovës. Kosova e trajnerit Prekazi është më e kujdeshme dhe synon të arrijë në portën e Selmanit nëpërmjet kundërsulmeve. Përtej këmbënguljes dhe rasteve të krijuara pjesa e parë e lojës mbyllet në barazimin e bardhë 0 me 0. Fraksioni i dytë i lojës nis me një tjetër marsh, Kosova ka një epërsi të lehtë në mesfushë dhe trajneri Bushi ndërhyn për të përmirësuar lojën e skuadrës së tij. Pikërisht në minutën e 60-të largohen nga fusha e lojës kapiteni Kallaku dhe Zejnullai dhe vendin e tyre e marrin Muçolli dhe Julian Shehu. Në minutën e 76-të Shqipëria fiton një goditje dënimi që ekzekutohet në mënyrë perfekte nga Muçolli, topi shkon në zonë dhe Shaqir Tafa godet bukur dhe 1-0 për Shqipërinë. Entusiasmi në skuadër rritet dhe vetëm pesë minuta pas golit të parë vjen dhe goli i dytë me Muçollin që shënon pas një inkursioni personal. Në momentin që fitorja dukej e siguruar vjen dhe goli i Kosovës me Baftiun që shënon me golë pas një goditje nga këndi në minutën e 89-të. Nuk ka më asnjë rast për tu shënuar dhe gjithçka mbyllet me fitoren 2-1 të skuadrës së Bushit. Eliminatoret për Euro2021 për Shqipërinë vazhdojnë në muajin nëntor me ndeshjen që do të luajnë kundër Anglisë.

Shqipëria zbriti në fushën e lojës me këtë formacion: Selmani; Maloku; Tafa; Bajrami; Pëllumbi (Ndreçka 64); Çokaj (Mersinaj 91’); Zejnullai (Shehu 60’); Xhixha (Kolaj 91’); Mala; Kallaku (Muçolli 60’); Broja.

GOLAT: Tafa 76′, Muçolli 81′ / Baftiu 89′