U-21 / ALBAN BUSHI ANALIZON 3 NDESHJET E QERSHORIT: “I KËNAQUR NGA REZULTATET DHE IMPENJIMI SKUADRËS”

Trajneri i 21 vjeçarëve të Shqipërisë, Alban Bushi, ka dalë ditën e sotme në një konferencë për shtyp në ambientet e FSHF, për t’ju përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në lidhje me 3 ndeshjet që U-21 zhvilloi në muajin qershor, përballë Turqisë në Stamboll, ndeshje e vlefshme për eliminatoret e Euro2021, si dhe dy miqësoret me Uellsin.

Trajneri Bushi në fjalën e tij nënvizoi besimin e madh që ka tek ky grup i rinj lojtarësh që ishin grumbulluar për këto ndeshje, duke u shprehur se disa prej këtyre lojtarëve brenda një kohe të shkurtër do të jetë pjesë e Kombëtares A. “Jam i kënaqur me rezultatet, por mbi të gjitha nga impenjimi i grupit, sepse sakrifikuan në një fund sezoni të lodhshëm. Shumë lojtarë ishin të rinj, që nuk janë takuar me shumë shokë ekipi, por kanë punuar shumë mirë dhe rezultatet të japin kënaqësi. Ne jemi përqendruar më shumë në aspektin mbrojtës, duke tentuar kundërsulmin, pas eksperiencës së vjetshme, ku sulmonim shumë dhe pësonim shumë gola nga mungesa e eksperiencës. Kjo na detyron të punojmë shumë në aspektin mbrojtës, për të menduar më shumë për rezultatet. Golat që pësojmë janë për gabime naive, për dhurata, ndërsa vuajmë shumë për të gjetur golin. Këtu duhet të ndryshojmë. Golat e pësuar më lehtësi janë shqetësim, natyrisht. Lojtarët kanë nevojë të luajnë rregullisht në klubet përkatëse, u duhet të rriten dhe të fitojnë besim te vetja. E kam parë atë ndeshje, por nuk më interesojnë rivalët dhe renditja. Ne u ndalëm në Andorrë, patëm probleme edhe me fushën, tani mendojmë për ndeshjen e radhës kundër Austrisë. Rëndësi ka të luajmë mirë, të mos pësojmë gola naiv. Ne punojmë për të çuar lojtarë në ekipin e parë, ky është synimi madhor. Unë aktivizoj lojtarët më në formë, Bullari është shqiptar dhe nuk ka arsye pse të shkojë te Greqia, por janë zgjedhje personale dhe nuk ndalojmë dot askënd. Kam biseduar me Bullarin, do të jetë për shumë kohë në kombëtare, por është ende shumë i ri, ka kohë për të menduar për ekipin A. Jam shumë i kënaqur nga lojtarët e kampionatit shqiptar, kanë bërë të pamundurën dhe kanë qenë ndër më të mirët, sidomos në Turqi. Kam grumbulluar shumë lojtarë nga kampionati shqiptar, por aq janë mundësitë, disa klube nuk i aktivizojnë të rinjtë. Nuk mund të grumbulloj lojtarë pa fund, do të detyrohem të bëj zgjedhje për ndeshjet e ardhshme. Broja e Bullari, mund të debutojnë në kombëtaren A? Është diçka e mirë që po paraqiten mirë, nëse vlejnë për ekipin A jam i lumtur, por janë të vegjël për të luajtur për ekipin A, edhe pse mund të grumbullohen ndonjëherë për eksperiencë. Janë ende tepër të brishtë për t’u ndeshur me lojtarë të mëdhenj të futbollit botëror. Ne luftojmë me zemër, në ndeshjen me Turqinë djemtë dhanë gjithçka, edhe pse përballë kishim një rival superior në shumë drejtime, duke parë ekipet ku luajnë lojtarët turq”.