U-19 / Shqipëria fiton dhe miqësoren e dytë ndaj Kosovës - FSHF

U-19 / Shqipëria fiton dhe miqësoren e dytë ndaj Kosovës

Shqipëria U-19, e drejtuar nga trajneri Nevil Dede, ka fituar me rezultatin 4-1 ndaj bashkombasve të Kosovës, në ndeshjen e dytë miqësore që u zhvillua ditën e sotme në Prishtinë, në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Kuqezinjtë e trajnerit Dede kanë dominuar plotësisht në pjesën e parë, duke zhvilluar një lojë të bukur, e orientuar e gjitha në sulm. Ka qënë sulmuesi i Tiranës, Ernest Muçi ai që ka zhbllokuar ndeshjen në minutën e 23-të falë një penalltie. Loja sulmuese ka dhënë rezultat, dhe në minutën e 40-të, sulmuesi i Chelsea, Armando Broja, ka dyfishuar rezultatin dhe ka dërguar skuadrën në dhomat e zhveshjes me rezultatin 2-0. Pjesa e dytë ka konfirmuar dominimin e Shqipërisë, që ashtu si edhe në pjesën e parë ishin superior ndaj bashkombasve të Kosovës duke shënuar edhe 2 gola të tjerë. Në minutën e 48-të, Kosova ngushton diferencat me Bytyqin, por kuqezinjtë përgjigjen menjëherë me Muçin në minutën e 56-të dhe Brojan në minutën e 65-të, gol që vulos dhe rezultatin i cili nuk do të ndryshoj deri në fund.

Më datë 3 Qershor, vetëm dy ditë më parë, në Drenas u luajtur miqësorja e parë që u fitua nga kuqezinjtë me rezultatin 3-1, falë një dopiete të Muçit dhe golit të Brojas.

Shqipëria U-19 zbriti në fushën e lojës me këtë formacion: Malaj, Shiba, Selishta, Hida, Rrahmani, Morina, Rrapaj, Karica, Muçi, Prengaj dhe Broja (U aktivizuan: Rexhepi, Beqja, Arapi, Asllani, Kacbufi dhe Gashi)