Turneu “Vlatko Marković” / Kombëtarja U-16 mbërrin në Zagreb, gati për debutimin ndaj Lituanisë - FSHF

Turneu “Vlatko Marković” / Kombëtarja U-16 mbërrin në Zagreb, gati për debutimin ndaj Lituanisë

Kombëtarja shqiptare e moshës U-16 ka mbërritur paraditen e së martës në Zagreb për të marrë pjesë në turneun ndërkombëtar “Vlatko Marković”, që zhvillohet në kryeqytetin kroat në datat 4-9 maj 2021.

Kuqezinjtë u grumbulluan që më datë 1 maj në Durrës, ku zhvilluan disa seanca stërvitore për dy ditë nën drejtimin e trajnerit Agron Kërçova e më pas udhëtuan drejt Kroacisë.

Në orën 17:30 skuadra e përbërë nga 22 lojtarë ka zbritur në kampin stërvitor për të zhvilluar seancën e parë në tokën kroate. Gjithçka ka shkuar normalisht dhe deri tani nuk ka asnjë problem me dëmtimet.

Kombëtarja U-16 do të luajë ndeshjen e parë ndaj Lituanisë ditën e mërkurë më 5 maj 2021 (ora 12:15), ndërsa një ditë më pas, më 6 maj, do të sfidojnë Rusinë me duelin që nis në ora 15:45. Takimi i tretë dhe i fundit për Shqipërinë në grup do të luhet më datë 7 maj ndaj Bosnje & Hercegovinës në ora 10:30.

Përfaqësuesja shqiptare do të luajë 3 ndeshje në grup dhe pas renditjes përkatëse do të përcaktohet nëse do të kualifikohet për në finale apo për vendin e 3-të, 5-të, ose të 7-të në bazë të rezultateve që do të marrin në ndeshjet e grupit.

Finalja e turneut luhet më datën 9 maj, teksa në këtë datë do të zhvillohen edhe ndeshjet për vendin e 3-të, 5-të dhe të 7-të.

Në këtë turne marrin pjesë tetë vende dhe formati është me dy grupe me nga 4 skuadra. Shqipëria është në Grupin B bashkë me Rusinë, Bosnjë & Hercegovinën dhe Lituaninë. Ndërsa, në Grupin A janë Kroacia, Bullgaria, Bjellorusia dhe Maqedonia e Veriut.

Ky turne, që është në edicionin e tij të tretë, organizohet në nderim të kujtimit të ish-Presidentit të Federatës së Kroacisë, Vlatko Markovic, i cili është ndarë nga jeta në vitin 2013.

 

× WhatsApp