Turneu i Përfaqësueseve Rajonale, Lezha shpallet kampione e moshës U-15 - FSHF

Turneu i Përfaqësueseve Rajonale, Lezha shpallet kampione e moshës U-15

Është zvilluar sot në stadiumin “Selman Stërmasi” finalja e turneut të ekipeve përfaqësuese rajonale për moshën U-15. Fituese e kësaj grupmoshe është shpallur Lezha, që ka mundur Durrësin vetëm pas goditjeve nga 11-metrat. Koha e rregullt u mbyll me rezultatin e barabartë 0-0.

Nga pika e bardhë u treguan më të saktë djemtë e drejtuar nga trajneri Alket Kruja, të cilët fituan në shifrat 5-4.
Durrësi vinte në këtë finale pasi kishte mundur më parë Gjirokastrën dhe Fierin, ndërsa Lezha kishte kaluar me sukses Tiranën dhe Shkodrën.

Në ceremoninë e organizuar në përfundim të takimit ishte ish-futbollisti dhe ish-trajneri i mirënjohur, Sulejman Mema ai që u dorëzoi trofeun e kampionit djemve të Lezhës.

Finalja e moshës U-14 do të diskutohet mes Durrësit dhe Tiranës në takimin që do të zhvillohet ditën e martë, datë 14 korrik, ora 18:00, në “Elbasan Arena”.

Në finalen e U-13 do të jenë sërish Durrësi dhe Lezha që do të përballen për trofeun. Ky takim do të luhet po të martën, më 14 korrik në “Elbasan Arena”.

Turneu i përfaqësueseve rajonale organizohet nga Federata Shqiptare të Futbollit dhe ka si qëllim ndjekjen nga afër të elementëve të spikatur kudo ku ata luajnë dhe për të mbajtur në monitorim procesin e rritjes së tyre. Stafet teknike të të gjitha ekipeve kombëtare kanë ndjekur me kujdes edhe ndeshjen finale të moshës U-15.