
Ka humbur në finalen e turneut të përvitshëm ndërkombëtar Roma “Caput Mundi”, ekipi kombëtar U-19. Ata janë mundur nga fituesja e grupit A, Rumania U-19, me rezultatin e thellë 5-0. Ekipi ynë përfaqësues bënte pjesë në grupin B të këtij turneu. Në ditën e parë, skuadra jonë ka barazuar me skuadrën homologe të Maltës, në një ndeshje që është mbyllur pa gola (sipas rregullores së aktivitetit janë gjuajtur penalltitë ku djemë tanë kanë dalë fitues). Në ditën e dytë, skuadra jonë përfaqësuese ka fituar 1-0 me Uellsin, duke kryesuar renditjen provizore të grupin. Takimi tretë kundër Lazio C.R. (Comitato Regionale), shënoi edhe fitoren e dytë për skuadrën tonë. Një gol i shënuar Valdrin Mustafa, ka mjaftuar për të siguruar vendin e parë në grup edhe finale e turnout. Rumania e cila u rendit e para në Grupin A, ishte dominuese në fushën e lojës dhe arriti të shënonte pesë herë të portën tonë duke shfrytëzuar hapësirat e krijuara nga skuadra shqiptare. Pas ndeshjes Arjan Bellai, trajneri i skuadrës kombëtare U-19, u shpreh për uebin zyrtar të FSHF:
“Sigurisht, qëllimi i pjesëmarrjes në këtë Turneu, nuk është rezultati por vëzhgimi i lojtarëve i gjendjes së tyre dhe eksperimentimi i skemave të ndryshme. Megjithatë, kjo nuk e justifikon rezultatin e ndeshjes finale. Kundër Rumanisë nuk luajtëm mirë dhe i krijuam shumë hapësira kundërshtarit. Gjithsesi, ishte një mësim që do të jetë tema kryesore e një analize të hollësishme, për të nxjerrë konkluzione për të ardhmen. Do të na duhet të punojmë shumë për tu ngjitur në nivelin, që ne kërkojmë nga kjo skuadër”.

















