Turneu i Kazakistanit, Shqipëria U-17 barazon pa gola - FSHF

Turneu i Kazakistanit, Shqipëria U-17 barazon pa gola

Shqipëria U-17 ka barazuar 0-0 në ndeshjen e parë të Turneut “Kupa e Presidentit të Kazakistanit”. Kuqezinjtë e drejtuar nga Xhemal Mustedanagiç, kanë barazuar me skuadrën vendase Cruseiro, në një ndeshje ku 17 vjeçarët tanë kanë dominuar ndaj kundërshtarëve. “Jam i kënaqur nga kjo ndeshje e parë. Kemi dominuar në lojë pavarësisht se nuk arritëm që të shënonim. Tek skuadra është ndjerë disi lodhja e udhëtimit, pavarësisht kësaj kemi bërë një paraqitje të mirë. Uroj të vijmë duke u rritur në takimet e tjera”, ka thënë menjëherë pas ndeshjes për ueb-in zyrtar të FSHF, trajneri Mustedanagiç. Takimi është luajtur në orën 10.00 paradite në qytetin e Shimkentit. Ky turne do të zhvillohet nga data 8 deri më 13 gusht në Shymkent, me pjesëmarrjen e tetë skuadrave të ndara në dy grupe. Shqipëria, është në pjesëmarrëse në grupin A së bashku me Kazakistanin, Cruseiro (Kazakistan) dhe Kirgistanin. Ndërsa në grupin B, luajnë Azerbajxhani, Irani, Rusia 2 dhe Taxhikistani.

U-17 luajti me këtë formacion: Ilia Sinani, Roy Syla, Aldrit Oshafi, Marsel Ismaili (’59 Murati), Zenel Gavazaj, Drini Halili ( ’41 Pellumbi), Emiliano Bullari ( ’41 Shehu) , Marlon Marishta, Xhelal Terziqi ( ’52 Ndoj), Dean Lico, Elmir Lekaj ( ’41 Doda)

Takimin e ardhshëm ekipi ynë do ta zhvillojë nesër po në orën 10.00 kundër Kirkistanit. Pasnesër, sipas kalendarit do të jetë pushim, ndërsa ditën e enjte, do të luajë kundër vendasve të Kazakistanit. Turneu përfundon më datë 12 gusht me ndeshjet finale për vendet 1-2, 3-4, 5-6 dhe 7-8.