Turnetë Europianë U-17 dhe U-19, luhen në Shqipëri - FSHF

Turnetë Europianë U-17 dhe U-19, luhen në Shqipëri

Turnetë Europianë për kombëtaret U-17 dhe U-19, do të luhen në Shqipëri. Lajmet konfirmohen nga Drejtori i Sektorit të Jashtëm në Federatë Denis Bastari, i cili ndodhet në Nyon. Sot është hedhur shorti për të dyja kompeticionet europiane Eliminatoret e Kampionatit Europian 2017-2018, për kategoritë U-17 dhe U-19. Skuadra e drejtuar nga Xhemal Mustedanagiç, pra kombëtarja U-17, do të jetë e inkuadruar në grupin e dytë eliminator së bashku me Spanjën, Kroacinë dhe Lihtenshtejnin. Ndeshjet do të luhen në Shqipëri nga data 19-25 tetor të vitit të ardhshëm.

Ndërsa kombëtaren U-19, që tashmë do të drejtohet nga bomberi Erjon Bogdani, shorti eliminatoreve të Europianit e ka vendosur në grupin e 12. Kundërshtarë të Shqipërisë në këtë grup, do të jenë Ukraina, Mali i Zi dhe Norvegjia. Turneu do të zhvillohet në Shqipëri nga data 4 deri në 10 tetor të vitit të ardhshëm.

Prej disa vjetësh, Federata e Futbollit ka organizuar në Shqipëri, turne eliminatorë për kategoritë e moshave U-17 dhe U-19. Po kështu edhe për kombëtaret U-19 femra. Këto organizime janë vlerësuar nga institucioni i futbolli europian UEFA, duke krijuar besim tek Shqipëria. Krahas anës teknike, organizime të tilla shërbejnë edhe si një PR, për vendin tonë. Më parë, është vendosur që edhe Turneu Eliminator U-19 femra, do të zhvillohet në Shqipëri.