Trajnerja e Italisë së femrave, mesazh për kursin e FSHF për përgatitësit atletik - FSHF

Trajnerja e Italisë së femrave, mesazh për kursin e FSHF për përgatitësit atletik

Federata Shqiptare e Futbollit do të organizojë në fillim të muajit dhjetor kursin e përgatitësit atletik. Drejtuesi i këtij kursi do të jetë përgatitësi atletik i kombëtares shqiptare të futbollit, Luigi Febbrari. Një mundësi e shkëlqyer për të gjithë të interesuarit për t’u kualifikuar profesionalisht përmes një kursi që do të ofrojë të gjithë eksperiencën më të mirë bashkëkohore dhe lektorë me emër.

Gjatë ditëve të fundit përmes video-mesazheve këtë iniciativë të Federatës e kanë përshëndetur dhe vlerësuar shumë emra të njohur të trajningut italian. Këtë herë është trajnerja e kombëtarës së Italisë për femra, Milena Bertolini, e cila ka përshëndetur nismën e FSHF-së.

Bertolini ka ndarë këshillat e saj me të interesuarit për të ndjekur këtë kurs dhe për t’u marrë me këtë profesion, që është mjaft i kërkuar në futbollin modern. Trajnerja ka shpjeguar posaçërisht për FSHF.org rëndësinë e rolit të përgatitësi atletik për një skuadër futbolli dhe eksperiencën e tij me përgatitësit atletikë.

“Përshëndetje të gjithëve! Jam Milena Bertolini, trajnere e kombëtares së femrave të Italisë. Dua të uroj Federatën Shqiptare të Futbollit për këtë iniciativë që ka ndërmarrë, organizimin e një kursi për përgatitës atletik. Besoj se është një nismë shumë e rëndësishme, sepse roli i përgatitësi atletik apo e përgatitësit fizik është tashmë esencial në stafin e një skuadre.
Unë vetë mbaj titullin e përgatitësit atletik, përveçse kam edhe licencën e trajnerit UEFA Pro. Në fillimet e karrierës i bëja të gjitha vetë, trajnoja dhe bëja përgatitësin atletik njëkohësisht, por më pas e kuptova se për t’i pasur sportistet e mia në kondicionin më të mirë për t’u shprehur në fushë dhe për t’i dhënë të gjitha instrumentet e mundshme për t’u rritur, ishte e nevojshme të kisha njerëz të specializuar në të gjithë aspektet që kanë të bëjnë me stërvitjen.
Kështu që ngarkesa e punës, intensiteti i punës, çekuilibrimet muskulore, përdorimi i teknologjisë që bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm e më i sofistikuar dhe një ndihmesë gjithnjë e më madhe në programimin e stërvitjes. Ja përse mendoj se roli i përgatitësit atletik është vërtetë shumë i rëndësishëm dhe si trajnere, jo pak herë unë mbështetem në ndihmën e bashkëpunëtorëve teknikë dhe nuk jam vetëm si trajnere, por kam edhe 2-3 bashkëpunëtorë teknikë. E njëjta gjë edhe për përgatitësit atletikë. Sot në stafin e një skuadre nuk ka vetëm një përgatitës atletik, por më shumë se një.

Dua t’i bëj komplimentet e mia Federatës Shqiptare të Futbollit për këtë iniciativë të bukur dhe u uroj të gjithëve, punë të mbarë!”, – thotë Bertolini në mesazhin e tij për FSHF-në.
Kujtojmë se sipas rregullores së re të miratuar nga FSHF, në çdo skuadër futbolli do të ketë një përgatitës atletik në stafin e një skuadre, por edhe në stolin e saj teknik.
Për të gjithë personat e interesuar të cilët duan të regjistrohen në këtë kurs, format e komunikimit janë si më poshtë:
E-mail: drejtoria.teknike@fshf.al
Nr. tel: +355 68 404 0033