Trajneri Reja dhe kapiteni Berisha në konferencë për shtyp para miqësores me Kosovën - FSHF

Trajneri Reja dhe kapiteni Berisha në konferencë për shtyp para miqësores me Kosovën

Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Edoardo Reja dhe kapiteni Etrit Berisha kanë dalë në konferencën zyrtare për mediat, një ditë para ndeshjes miqësore që  ekipi do të zhvillojë kundër përfaqësueses së Kosovës. Trajneri Reja, në përgjigjet e tij për gazetarët, u shpreh se kjo ndeshje e Kosovës do të shërbejë si një test për lojtarët që do të hedhë në fushë. Drejtuesi teknik foli për afrimet e reja në skuadër, si Hoxhallari dhe Ismajlgeci, të cilët i konsideroi të rëndësishëm për zonën, për shkak të mungesave të Lenjanit dhe Lorenc Trashit. Gjithashtu, Misteri shpjegoi edhe situatën me Marash Kumbullën dhe foli për lojtarët e grumbulluar. Ndërsa Etrit Berisha u shpreh se atmosfera në skuadër është e mirë, pavarësisht mungesave në grup. Kapiteni foli edhe për mbrojtjen aktuale, të cilën e konsideron si më të mirën që ekipi ynë ka pasur ndonjëherë. Ndeshja kundër Kosovës thekson ai, nuk do të jetë e lehtë, duke qenë se është një ndeshje vëllazërore.

Miqësorja me Kosovën do të luhet në datën 11 nëntor (nesër) në orën 16:00 në stadiumin “Elbasan Arena”. Ekipi ynë do të luajë edhe dy ndeshje të tjera zyrtare të vlefshme për Ligën e Kombeve, në datën 15 nëntor kundër Kazakistanit dhe 18 nëntor kundër Bjellorusisë, në stadiumin “Air Albania.

Në fillim ishte kapiteni Berisha që iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve:

Sa mendoni se do ndikojë kjo pjesa e pandemisë te këto tre ndeshje?

– Kjo situatë është thuajse për të gjithë njësoj. Ne jemi duke u përgatitur për këtë lojë dhe megjithëse mungesat që do i kemi tani, besoj që të gjithë ata lojtarë që kanë ardhur janë të vetëdijshëm për këtë gjë dhe me siguri që është më së miri kur i gjithë ekipi jep maksimumin dhe këto dy ndeshjet për ne janë fondamentale.

– Si paraqitet atmosfera brenda ekipit dhe si e shihni përballjen me Kosovën?

– Atmosfera gjithmonë është e mirë. Jemi bashkë që prej një kohe të gjatë. Tani kemi filluar përgatitjet dhe kanë ardhur të gjithë lojtarët, i gjithë ekipi është këtu. Besoj se ndeshja me Kosovën do të jetë një ndeshje e mirë edhe pse mendoj që është edhe pak e vështirë sepse kemi dy ndeshje që janë shumë të rëndësishme për ne dhe fokusi ynë është tek ato dy ndeshje.

– Për një portier, reparti mbrojtës është shumë i rëndësishëm. Është kjo mbrojtja më e mirë që Shqipëria ka pasur?

– Kemi një ndër mbrojtjet më të mira që kemi pasur edhe më herët dhe duke marrë parasysh që janë edhe djem të rinj. Mendoj që duke luajtur bashkë do komponohemi edhe më shumë dhe do bëjmë një mbrojtje edhe më të fortë. Jemi shumë të kënaqur me këtë dhe e kemi treguar edhe në ndeshjet e kaluara, duke pasur parasysh që kemi luajtur katër ndeshje dhe kemi pësuar vetëm një gol, dhe ai gol ishte një fatkeqësi ndoshta. Mbrojtja, i gjithë ekipi, jo vetëm mbrojtja ka bërë shumë mirë në fazën defensive.

– Si është të motivohesh përpara ndeshjes me Kosovën, vëllait të vogël?

– Nuk është e lehtë të them të drejtën. Por kur marrim parasysh që është vetëm një miqësore apo vëllazërore si i themi, gjërat janë më të qeta. Mirëpo nëse do kishim luajtur në ndonjë kualifikim apo në ndonjë ndeshje më të rëndësishme, gjë që edhe mund të ndodhë, për ne është shumë e vështirë. Unë e ndjej gjithmonë që është vendi im, si Kosova, si Shqipëria dhe gjithmonë kam shkuar me bindjen që dua t’i përfaqësoj të gjithë shqiptarët. Dhe shpresoj që në të ardhmen të bëhet një ekip pasi duke marrë parasysh emrat që janë në Kosovë dhe në Shqipëri po të bëhej një ekip, do bëhej një ekip super dhe do kishin respektin dhe frikën e gjithë Evropa. Por fatkeqësisht, ndoshta gjendemi në një moment tjetër dhe duhet t’i shikojmë këto momente që i kemi tani dhe duhet ta luajmë këtë ndeshje si vëllazërore.

– Kujt lojtari i druheni më shumë te Kosova?

– Të them të drejtën, frikë nuk kam askënd. Unë mendoj që Kosova luan shumë mirë. Ka shumë individë të cilët kanë dëshirë ta kenë topin, kanë dëshirë që të luajnë futboll dhe nuk besoj që duhet të përqëndrohem vetëm te një lojtar, por tek i gjithë ekipi, pasi ka disa individë që janë të rrezikshëm.

– Në miqësoren që kishim në Zyrih me Kosovën, kur ekipi drejtohej nga Panuçi, morën gjërat për keq. Sa mund të ndikojë një rezultat tjetër jo i mirë, në ndeshjet për Nations League, që janë shumë më të rëndësishme?

– Nuk besoj se do ndikojë. Ajo ka qenë dhe një periudhë tjetër dhe kanë ndikuar shumë gjëra. Si në ekipin tonë dhe në atë të Kosovës. Mirëpo mendoj që ajo dhe kjo ndeshje do të jenë ndryshe. Fokusi ynë do të jetë te dy ndeshjet zyrtare.

Më tej, ishte trajneri Reja, ai që iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve të pranishëm në konferencën për shtyp.

– A është miqësorja me Kosovën, një sfidë ku trajneri do të qartësojë idetë për formacionin? Sa ju penalizojnë mungesat?

–  Do të jetë një ndeshje e ndjerë, unë e kam të qartë pjesën sentimentale. Tifozët e ndjejnë shumë. Unë do të hedh në fushë një ekip kompetititv, për të bërë disa teste para dy ndeshjeve zyrtare që sigurisht janë shumë më të rëndësishme për ne. unë pres që të jetë një ndeshje miqësore, pra shpresoj që lojtarët të jenë sa më të motivuar, pa kaluar limitet e një ndeshje miqësore. Uroj që të ketë një atmosferë të mirë. Sa i përket grupit që do të kem në dispozicion, mund t’ju them që Broja nuk mund të jetë i gatshëm për këtë ndeshje, për probleme fizike. Gjasula do të vijë me vonesë dhe ai nuk mund të jetë në këtë ndeshje. Kam marrë disa lojtarë të rinj, për shembull mund t’ju përmend Hoxhallarin apo Ismajlgecin, të cilët unë i kam parë dhe kam pasur mundësi t’i shoh në aksion edhe më përpara, por këtë herë kam shansin t’i provoj edhe në fushë. Sigurisht kam marrë në konsideratë edhe Çepelen i cili është një lojtar i ri dhe, edhe ai mund të jetë një lojtar që mund të luajë në formacion. Ne do të kemi edhe një stërvitje sot por edhe nesër, dhe besoj se do të krijoj një ide më të qartë për formën e lojtarëve, pasi kemi pasur disa lojtarë që kanë luajtur në fundjavë edhe të dielën. Nesër besoj do krijoj një ide më të qartë sa i përket skemës që mund të përdorim.

– Fakti që keni thirrur Hoxhallarin dhe Ismajlgecin, pse dy lojtarë të Tiranës dhe që luajnë në të njëjtin pozicion? Për më tepër që Hoxhallari kundër Teutës ka luajtur në qenër ndërsa Ismajlgeci nuk po aktivizohet fare?

– Ne kemi vështirësi në atë pjesë të pozicionit, pra në krahun e majtë. Lenjani ka pasur probleme dhe nuk mund të jetë i gatshëm. Edhe Trashi tek i cili unë kisha shpresa se mund të vinte, nuk mundi të ishte i pranishëm në këtë grumbullim. Kështu që unë do t’i besoj lojtarëve që unë njoh. I kam parë këta lojtarë edhe në aksion më përpara. E vërtetë është që Ismajlgeci ka pasur disa probleme fizike, por kam komunikuar me lojtarin dhe më ka thënë që është në rregull dhe nuk ndjen më shqetësime, prandaj vendosa ta grumbulloj. Kam marrë dy lojtarë pikërisht në atë zonë ku unë kam probleme dhe kam mungesa dhe për këtë arsye mora pikërisht këta të dy.

– Çështja e Kumbullës, u raportua që nuk do të jetë, por ka informacione që ka negociata nga Federata me Romën për t’i dhënë leje lojtarit. Sa afër jemi me negociatat?

– Ne kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet shëndetësore të Romës (ASL). Kemi pasur kontakt, por sot kemi marrë vesh që edhe tre lojtarë lojtarë të Romës kanë rezlutuar pozitivë. Jemi në pritje, jemi duke bërë negociata sigurisht. Ne kemi ofruar çdo mundësi pra që të krijojmë një corridor të sigurtë, të ofrojmë edhe një avion për ta marrë lojtarin. Shpresojmë që deri të shtunën të kemi një përgjigje. Vazhdojnë negociatat, nuk e dimë akoma se si do të zgjidhet kjo çështje, por unë shpresoj shumë që qoftë edhe të shtunën sikur ai të vijë, ne ta kemi për dy ndeshje. Lojtari është stërvitur normalisht dhe ai nuk ka probleme në formë. Deri të shtunën shpresoj që kjo çështje të jetë zgjidhur dhe ne të kemi një përgjigje përfundimtare.

– Pse nuk janë thirrur më Binaku dhe Balliu në kombëtare? Çfarë presim pas këtyre ndeshjeve?

– Është trajneri ai që duhet të bëjë zgjedhjet. Ne kemi një program dhe vazhdojmë punën me këtë program që kemi. Sigurisht që ne i ndjekim të gjithë lojtarët që kemi, qoftë edhe Balliun dhe Binakun që ju përmendët. Por ne në listën e madhe kemi 50 lojtarë të cilët i ndjekim, shikojmë ecurinë e tyre, nuk është se nuk jemi të informuar. Por, kur të mbarojnë këto ndeshje, unë do të ulem dhe do t\i shikoj prapë. Nëqoftëse  kanë mundësi, ata aty janë, kështu që mund edhe të grumbullohen në të ardhmen. Sigurisht, unë jam personi që bëj zgjedhjet dhe i takon teknikut të bëjë këto zgjedhje. Kam zgjedhur këta lojtarë sepse besoj tek ata dhe normalisht që dua t’i luaj këto ndeshje me këta lojtarë që kemi për momentin. Pastaj do të shohim në vazhdimësi.

-Ideja është, që për ne është shumë e rëndësishme të mos humbasim fokusin në këto dy ndeshje zyrtare. Duam të bëjmë dy ndeshje të mira, duam të marrim fitore, duam gjashtë pikë. Kemi qenë që në fillim favoritë për të fituar grupin , për të arritur vendin e parë dhe jemi akoma favoritë. Unë uroj të shfrytëzojmë të gjithë potencialin tonë. Bëmë një nisje të mirë të edicionit, pastaj e ulëm ritmin, pasi humbëm me Lituaninë dhe pastaj morëm dy pikë në dy transferta të vështira jashtë fushe. Unë uroj që të shfrytëzojmë faktorin fushë dhe të mund të marrim gjashtë pikë dhe unë jam akoma i bindur se mund të arrijmë vendin e parë të grupit.

Kemi ndeshjen me Kosovën përpara dhe mirë është që të fokusohemi te kjo ndeshje sepse do kemi sërish mundësi në konferencën e të shtunës për të folur për këto dy ndeshje.

– Sa e vështirë është të motivohen lojtarët për të luajtur kundër Kosovës që i konsiderojmë si vëllezër?

– Nuk do doja të kishim luajtur një ndeshje me Kosovën në këtë moment, por të them të vërtetën ishte e vetmja skuadër disponibile. Siç e dini ne kishim një ndeshje me Gjilbratarin të programuar, ndërkohë që humbëm dhe ndeshjen miqësore me Armeninë, nuk mundëm ta zhvillonim për shkak të situatës. Dhe ishte një datë e vendosur nga UEFA të cilën ne duhet ta shfrytëzonim, kështu që duke qenë se ne na erdhi si mundësi të luanim me Kosovën, në rregull. Por thashë që nuk ishte momenti ideal, por ne do gjejmë motivacionin e duhur për ta luajtur si duhet këtë takim. Lojtarët e rinj të cilët kanë ardhur kanë stimuj  për të treguar veten dhe unë jam i bindur se do të japin maksimumin për të treguar se e meritojnë që të jenë këtu me kombëtaren.