TRAJNERI PANUCCI SHPALL LISTËN PËR NDESHJET ZYRTARE ME IZRAELIN DHE SKOCINË: “TANI NIS NJË EPOKË E RE PËR KOMBËTAREN SHQIPTARE” - FSHF

TRAJNERI PANUCCI SHPALL LISTËN PËR NDESHJET ZYRTARE ME IZRAELIN DHE SKOCINË: “TANI NIS NJË EPOKË E RE PËR KOMBËTAREN SHQIPTARE”

Trajneri i skuadrës kombëtare të futbollit Christian Panucci shpalli sot përpara mediave listën zyrtare të lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet zyrtare për turneun e Ligës së Kombeve, kundër Izraelit në 7 shtator dhe Skocisë në 10 shtator. Janë gjithsej 25 futbollistë të grumbulluar nga mister Panucci për këto dy takime. Tekniku pasi përcolli urimet e tij për një shërim të shpejtë për Roshin e Sadikun, të cilët janë të dëmtuar përcolli për gazetarët edhe objektivat e tij për këto dy sfida të para të këtij kompeticioni: “Tashmë nis një epokë e re, një histori e re për ekipin kombëtar të Shqipërisë. Çdo gjë e deritanishme është zeruar, duke përfshirë çdo eksperiment të kryer. Liga e Kombeve është një kompeticion shumë thelbësor për ne.
Tani nisin ndeshjet që kanë shumë rëndësi. Shqipëria nuk është Brazili, por është një skuadër e mirë kur është e plotë. Jam shumë i kënaqur që na rikthehen shumë lojtarë, të cilët na kanë munguar në takimet e fundit. Nuk mendoj të shpenzoj më energji negative në lidhje me ndeshjet e fundit, pasi më vjen të shpërthej, edhe pse kishim jo pak mungesa, apo lojtarë jashtë forme. Tani është rikthyer mesfusha. Jam përpjekur të thërras futbollistë me më shumë përvojë për këto dy takime në këtë grup shumë të ekuilibruar sic jemi ne. Duhet të bëjmë një start shumë të mirë në fushën tonë, në një kohë që në Skoci, në “Hampden Park” duhet të jemi me shumë zjarr në fushë, pasi është një stadium që të vë në një presion shumë të madh. Sidoqoftë tashmë na janë kthyer shumë lojtarë dhe do të punojmë shumë gjatë këtyre ditëve. Në lidhje me rikthimin e Agollit nuk e kam thënë kurrë që nuk do ta thërras Ansin në ekipin kombëtar, por kam thënë që gjatë këtij viti me ndeshje miqësore do të mundohemi të gjejmë zëvendësuesin. Kam thënë që në momentin që do të na shërbejë dhe do të na japë një dorë do e thërrasim. Dhe kështu ndodhi. Sa i përket portës është problemi më i vogël që kam. Si Strakosha që po luan dicka më shumë, dhe Berisha që po luan pak janë dy portierë të cilët japin garanci maksimale në portë”,- theksoi trajneri Panucci. I pyetur për futbollistin e Bajernit,  Shabani, trajneri Panucci saktësoi: “Për të qenë të ndershëm dhe korrektë ai futbollist nuk ka vendosur ende se me kë do të luajë. Jemi vetëm në këtë situatë”. Skuadra kombëtare nga dita e dielë në darkë dhe të hënën në mesditë do të nisë grumbullimin, ku pritet të vijnë lojtarët e thërritur. Seanca e parë do të zhvillohet ditën e hënë në rezort “Tropikal” në Durrës në orën 17.30, (15 minutat e para janë të lira për mediat). Më poshtë, lista e 25 lojtarëve të grumbulluar nga trajneri Panucci dhe Programi mediatik dhe stervitor i kombetares A për takimin me Izraelin.