Trajneri i ekipit kombëtar U-19 Altin Lala dhe përgjegjësi i Sektorit të Ekipeve Kombëtare, Redi Jupi, kanë dhënë sot një konferencë për shtyp në Federatën Shqiptare të Futbollit. Ata u janë përgjigjur interesimit të madh të gazetarëve në lidhje me ecurinë e ekipit kombëtar U-19 dhe në përgjithësi të kombëtareve të moshave. Fillimisht trajneri Altin Lala, ka folur në lidhje me miqësoren kundër homologëve italianë që do të zhvillohet nesër në “Elbasan Arena” në orën 16.00. “Patjetër që është një ndeshje e rëndësishme, sepse ne tani kemi nisur të bëjmë përzgjedhjet për grupin e ri, të futbollistëve me të cilët do të punojmë për të shkuar në eliminatoret e ardhshme. Sigurisht, që ka mjaft lojtarë të talentuar dhe kry process do të vazhdojë edhe me seleksionime brenda Shqipërisë”-ka deklaruar trajneri i ekipit shqiptar U-19. Më pas, gazetarët janë njohur me disa elementë të strategjisë të Sektorit të Ekipeve Kombëtare, nga përgjegjësi Redi Jupi. “Kemi një komunikim mjaft të mirë midis trajnerëve të të gjitha ekipeve kombëtare U-17, U-19, U-21 dhe ekipit të të rriturve. Kemi hartuar programin njëvjeçar, në mënyrë që t’u japim mundësinë të gjithëve që të përgatiten sa më mirë për eliminatoret e ardhëshme”-ka theksuar Jupi.

















