Sot paradite në orën 09.30, trajneri i ekipit U-19 për femra, Nevil Dede ka dalë përpara gazetarëve në një konferencë për shtyp në lidhje me pjesëmarrjen e këtij ekipi, në grupin eliminator të Kampionatit Europian të Futbollit. Kombëtarja U-19 për femra do të niset të hënën për në Austri, ku do të luajë në të njëjtin grup me vendaset, Ukrainën dhe Skocinë.
“Sigurisht që eliminatoret, janë aktiviteti më i rëndësishëm i kësaj skuadre dhe ne kemi punuar mjaft për tu paraqitur sa më mirë. Sigurisht, ne jemi një ekip ri dhe pa shumë eksperiencë në aktivitete të tilla dhe synojmë të përmirësohemi çdo ditë. Kemi në gjirin tonë shumë vajza të talentuara tek të cilat shpresojmë mjaft”-tha ndër të tjera trajneri Nevil Dede. Më pas ai bëri një analizë të skuadrave të grupit tonë, duke i vlerësuar kundërshtarët, të cilët kanë disa dekada që përpiqen dhe investojnë në futbollin e femrave. “Do të vlerësoja Austrinë me të cilën do të luajmë edhe ndeshjen e parë dhe që e mendoj se do të jetë koka e grupit tonë. Pastaj Skocinë me të cilën kemi luajtur edhe në eliminatoret e edicionittë kaluar dhe sigurisht edhe Ukrainën, që po në për përpjekje vitet e fundit për ta ngritur futbollin e femrave”. Më pas, ai ju përgjigj pyetjeve të gazetarëve të pranishëm.
Shqipëria, U-19 për femra, ka disa ditë që ka nisur përgatitjet, për këtë aktivitet, në Resortin “Tropikal” në Durrës, të cilat do të mbyllen nesër. Shqipëria do të luajë të martën më 15 shtator, kundër Austrisë në orën 18.00. Më pas, ajo do të përballet me Skocinë, të enjten, më datë 17 shtator ora 11.00 dhe ndeshjen e fundit do ta luajë kundër Ukrainës të dielën më 20 shtator në orën 17.00.

















