Tirana mposht Vllazninë në “Air Albania” dhe fiton Superkupën e Shqipërisë 2022! - FSHF

Tirana mposht Vllazninë në “Air Albania” dhe fiton Superkupën e Shqipërisë 2022!

Tirana u shpall fituese e Superkupës së Shqipërisë 2022, pasi mundi Vllazninë 3-2 në finalen e luajtur të sot në mbrëmje në stadiumin “Air Albania”. Skuadra bardheblu, që vinte në këtë sfidë si kampionia e Shqipërisë për sezonin 2021/2022, arriti të triumfonte ndaj fituesve të Kupës së Shqipërisë pas 90 minutave spektakël dhe gola, në ndeshjen që riktheu në fushë futbollin shqiptar pas pauzës së Botërorit “Katar 2022”.

Vllaznia e nisi më mirë ndeshjen duke kaluar në avantazh që në minutën e 7-të me një gol të Esat Malës, por Tirana reagoi dhe u përpoq derisa arriti të barazonte rezultatin në minutën e 40-të me një realizim spektakolar të Patrik, i cili realizoi me një goditje në gjysmë-roveshatë brenda zonës.

Pjesa e parë u mbyll në barazim 1-1, ndërsa bardheblutë e nisën pjesën e dytë aty ku e lanë, duke gjetur golin e avantazhit në minutën e 53-të me anë të Florent Hasanit. Mirëpo, Vllaznia nuk e pranon disfatën dhe ngulmon për të gjetur golin e barazimit, që vjen në minutën e 86-të me Liridon Latifin, që transformon në gol një 11-metërsh të fituar nga çobaj.

Kur u duk se skuadrat po shkonin drejt shtesës, Tirana gjen edhe golin e fitores me Xhixhën që ndjek mirë aksionin dhe përfiton nga grushtimi i portierit Zogoviç, duke e dërguar topin në rrjetë. Minutat e mbetura nuk ndryshojnë asgjë dhe bardhelutë fitojnë trofeun e Superkupës për herë të 12-të në historinë e tyre.

Në përfundim të sfidës u zhvillua edhe ceremonia e dorëzimit të medaljeve dhe trofeut, ku morën pjesë Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku si edhe presidentët e dy klubeve, Refik Halili e Alban Xhaferraj.

Finalja e Superkupës së Shqipërisë

Tirana – Vllaznia              3-2

Golat: Patrik 40′, Hasani 53′, Xhixha 90’+2′ / Mala 7′, Latifi 85′ (11m)