Kombëtarja U-21 ka zhvilluar sot miqësoren e dytë të nëntorit në transfertë ndaj Malit të Zi, që u mbyll me fitoren 4-2 të skuadrës malazeze. Trajneri i Shqipërisë U-21, Alban Bushi e nisi ndeshjen me këtë formacion: Simon Simoni, Agan Mjaki, Geralb Smajli, Mario Mitaj, Renaldo Torraj, Rejan Alivoda, Adrion Pajaziti, Klevis Dragaj, Alexandros Robi, Aldi Gjumsi, Behar Ismaili.
Pjesa e parë e ndeshjes, që u luajt sot në Podgoricë, ka qenë e baraspeshuar me raste nga të dyja skuadrat me disa raste për gol dhe shumë ritëm. Në minutën e 11-të vendasi kalojnë në avantazh pas një aksioni nga e majta, pasim në qendër të zonës, aty ku numri 9 Vukotiç, pasi driblon një mbrojtës, godet me të djathtën dhe kap në befasi portierin Simon, duke zhbllokuar rezultatin. Ndonëse malazezët janë të motivuar, kuqezinjtë arrijnë gradualisht të dalin në lojën e tyre dhe në minutën e 25-të është sërish Adrion Pajaziti, i cili kishte shënuar edhe në miqësoren e pak ditëve më parë ndaj San Marinos, ai që realizon një gol të shkëlqyer nga goditja e dënimit, duke ekzekutuar në mënyrë perfekte. Sakaq, tekniku Bushi kishte bërë një zëvendësim të detyruar duke nxjerrë nga loja Renaldo Torrajn dhe duke hedhur në fushë Argel Avdiun.
Pavarësisht rasteve nga të dyja ekipet pjesa e parë mbyllet 1-1, ndërsa pjesa e dytë është edhe më e ndezur. Në minutën e 49-të rigjen avantazhin Mali i Zi me anë të Andrej Bajoviç, që godet saktë në hyrje të zonës, por kombëtarja kuqezi rikthen shumë shpejt ekuilibrat me Klevis Dragajn, që tregohet i zgjuar duke ndjekur aksionin deri në fund dhe arrin të bllokojë pasimin e portierit malazez, duke e dërguar topin në rrjetë. Pas barazimit vijnë dhe zëvendësimet e nga të dyja skuadrat, por në minutën e 63-të vjen edhe momenti kyç kur Alexandros Robi ndëshkohet me karton të kuq dhe lë kombëtaren shqiptare me 10 lojtarë. Pikërisht nga kjo goditje vjen edhe goli i tretë i Malit të Zi dhe është sërish Bajoviç, që tregohet i saktë me një goditje që nuk i jep mundësi portierit të sapofutur Klidman Lilo të reagojë.
Me një lojtar më pak në fushë për kuqezinjtë bëhet edhe më e vështirë, ndërkohë që në minutën e 76-të Mali i Zi gjen edhe golin e sigurisë me Jovan Dasiç që godet saktë me kokë në qendër të zonës pas një goditje nga këndi. Deri në fund aktivizohen të gjithë lojtarët, ndërkohë që ndeshje përfundon me rezultatin 4-2. Kjo ishte miqësorja e dytë për Shqipërinë U-21 brenda pak ditësh. Më datë 16 nëntor Shqipëria U21 mundi San Marinon me rezultatin 3-0 në një provë shumë të mirë për disa nga elementët më të spikatur të këtij ekipi Kombëtar, që është në mesin e procesit të rinovimit.
Ndeshje miqësore
Mali i Zi U21 – Shqipëri U-21 4-2
Shënues: Vukotiç 11’, Bajoviç 49’, 65’, Dasiç 76’ /Pajaziti 25’, Dragaj 50’