Shqipëria ka mbyllur me një barazim të bardhë 0-0 sfidën kundër Gjeorgjisë, e dyta miqësore e planifikuar për muajin mars pas ndeshjes së parë me Spanjën. Kuqezinjtë e Edy Rejës nuk arritën dot të gjejnë rrugën e rrjetës, pavarësisht kontrollit të lojës. Trajneri Reja vendosi të aktivizojë që në fillim të ndeshjes këta lojtarë: Strakosha, Gjimshiti, Kumbulla, Ismajli, Roshi, Asllani, Ramadani, Hysaj, Çekiçi, Broja, Manaj.
Skuadra kontrolloi topin thuajse gjatë gjithë pjesës së parë, teksa spikasin dy momente kryesore, me Odise Roshin në minutën e 17-të, i cili gjuan fort nga brenda zone, por topi përfundon në duart e portierit kundërshtar dhe më pas do të ishte radha e Endri Çekiçit. Mesfushori kuqezi, fillimisht nuk gjen rrugën e rrjetës, pas një harkimi të tij me kokë, me topin që përfundon jashtë vijave fundore dhe më pas, merr një asist nga Gjimshiti teksa shmang mbrojtjen kundërshtare, duke goditur topin që përfundon mbi kuadrat.
Me nisjen e pjesës së dytë të lojës, trajneri Reja vendos të largojë nga fusha Armando Brojën dhe në vend të tij të luajë Sokol Cikalleshi, me këtë të fundit që pati rastin më të mirë për të kaluar kuqezinjtë në avantazh në minutën e 59-të, por i pafat, pasi topi përfundoi jashtë.
Reja vendos të freskojë skuadrën, duke hedhur në lojë tre emra, Klaus Gjasula, Qazim Laçi dhe Giacomo Vrioni, teksa nga fusha dalin Ylber Ramadani, Endri Çekiçi dhe Rey Manaj. Pak minuta më vonë, Kombëtarja ka një tjetër rast të mirë me të sapofuturin në lojë, Vrionin, i cili asistohet nga Cikalleshi brenda zone, por që nuk gjen dot kuadratin. Reja bën edhe zëvendësimin e fundit, me Roshin që i lë vendin Lenjanit në minutën e 77-të. Mundësia e fundit për të kaluar në epërsi erdhi nga debutuesi si titullar, Kristjan Asllani, i cili lëshon një predhë nga jashtë zone, por që ndalet nga portieri gjeorgjian, duke i mohuar kështu një fitore kuqezinjve në stadiumin “Air Albania” ku rikthehej të luante pas 4 muajsh.
Kjo ishte ndeshja e dytë pas Spanjës, që u zhvillua më 26 mars në transfertë dhe ku Shqipëria ishte pranë një rezultati historik, por u mund në minutat e fundit me shifrat 2-1.

















