Stesina për kursin e fizioterapistëve: FSHF po investon në rritjen profesionale - FSHF

Stesina për kursin e fizioterapistëve: FSHF po investon në rritjen profesionale

Drejtuesi i Departamentit të Mjekësisë Sportive në FSHF, Gianluca Stesina, ka folur në lidhje me kursin e formimit të fizioterapistëve “Human Tecar”, që do të organizohet në datat 25-28 janar si edhe me programin e këtij departamenti në muajt në vazhdim.

Në këtë kurs do të ketë lektorë të fushës së mjekësisë sportive, ku përveç doktor Stesinës marrin pjesë edhe Ilvi Begolli, fizioterapist pranë FSHF-së, Arzen Voci, fizioterapist i Kombëtares A të futbollit si dhe specialisti i Tecarterapia, Francesco Fassino.

Duke folur për FSHF.org, doktor Stesina vlerëson nivelin e fizioterapistëve shqiptarë dhe përpjekjet e FSHF-së për të investuar në formimin e tyre profesional.
“E veçanta është se ne kemi aktualisht fizioterapistë shumë të mirë në Shqipëri, të cilët janë të zotë dhe mund të mësojnë të tjerët. FSHF ka menduar që të kontribuojë në rritjen e nivelit profesional të fizioterapistëve, duke investuar në formimin e tyre”, – thotë Stesina, duke shtuar më tej: – “Me FSHF kemi vendosur të ndërtojmë një program azhurnimi për të gjithë fizioterapistët, si ato të ekipeve Kombëtareve, skuadra të kategorisë Superiore dhe të gjithë fizioterapistët shqiptarë. Kemi përgatitur së bashku me Ilvi Begollin një program me shumë takime që do të zhvillohen përgjatë vitit në mënyrë që t’u mësojmë pjesëmarrësve përdorimin e teknologjisë së fizioterapisë e më pas të mund të organizojmë një kurs edhe më të gjatë për promovimin e fizioterapisë në Shqipëri”, – thotë Stesina për Fshf.org, ndërsa thekson se kursi i parë do të jetë për përdorimin e Tecarterapia, që është një pajisje e përhapur shumë, por që kërkon aftësitë e duhura në përdorim.
“Kursi i parë është i fokusuar te Tecarterapia, që është një pajisje mjaft e përdorur në futboll, që e kanë shumë fizioterapistë, por që nuk dinë ta përdorin mirë. Së bashku me një specialist italian dhe dy fizioterapistët e Kombëtares nisim këtë kurs për të mësuar fizioterapistët e klubeve shqiptare se si ta përdorin në mënyrën e duhur këtë pajisje. Në muajin shkurt do të prezantojmë edhe programin e kurseve që do të organizojmë në muajt e ardhshëm, që do të jetë specifik për çdo mjek”, – shprehet doktor Stesina në prononcimin e tij.
Kursi do të jetë i ndarë në dy pjesë: pjesë teorike dhe më pas do të vijojë me pjesën praktike. Në datat 25-26 janar, kursi do të jetë i hapur vetëm për fizioterapistët e ekipeve kombëtare (meshkuj, femra), Kategorisë Superiore dhe Kategorive më poshtë. Ndërsa në datat 27-28 janar, kursi do të jetë i hapur për të gjithë studentët, mjekët, fizioterapistët dhe për të gjithë ata që duan të dinë për aplikimin e Tecarterapisë. Numri maksimal i personave që mund të marrin pjesë është 20.
Në fund të kursit, pjesëmarrësit do të pajisën me certifikatë nga FSHF dhe “Human Tecar Italia”.
Për të gjithë personat e interesuar të cilët duan të regjistrohen në këtë kurs, format e komunikimit janë si më poshtë:
E-mail: drejtoria.teknike@fshf.al
Nr. tel: +355 68 404 0033