Spektakël ndaj San Marinos. Shqipëria fiton dhe renditet e dyta në grupin I - FSHF

Spektakël ndaj San Marinos. Shqipëria fiton dhe renditet e dyta në grupin I

Shqipëria ka regjistruar fitoren e dytë radhazi mbrëmjen e të mërkurës në stadiumin “Elbasan Arena” ndaj San Marinos, duke fituar me goleadë, ndeshje e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror “Katar 2022”. Kjo fitore e rendit Shqipërinë aktualisht në vendin e dytë në Grupin I, 4 pikë më pak se Anglia e vendit të parë.

Kuqezinjtë e drejtuar nga Edy Reja zhvilluan një ndeshje spektakolare, duke qenë superiore gjatë gjithë lojës, me pesë gola të shënuar. Ishte Rey Manaj ai i cili kaloi në avantazh skuadrën në minutën e 32-të, i cili shfrytëzon më së miri një asist të Keidi Bares, duke goditur saktë brenda zonës. Bomberi kuqezi shënoi edhe dy gola të tjerë në harkun e 13 minutave të pjesës së parë, por që u anuluan për pozicion jashtë loje.

Fraksioni i dytë i ndeshjes nis me po të njëjtin ritëm, me kuqezinjtë që tregojnë dëshirën e madhe për të fituar dhe për të shënuar. Trajneri Reja vendos të bëjë dy zëvendësime me fillimin e pjesës së dytë, duke hedhur në fushë Brojën dhe Roshin, e duke nxjerrë nga loja Trashin dhe Bajramin.

Goli i dytë erdhi nga këmbët e Qazim Laçit, i cili godet bukur nga jashtë zone, duke e dërguar topin në cepin e portës. Tre minuta më vonë është Armando Broja, ai i cili me një predhë nga brenda zone trefishon rezultatin. Ky ishte goli i dytë i Brojës, i cili shënoi edhe në ndeshjen ndaj Hungarisë.  Të papërmbajtshëm kuqezinjtë, të cilët në minutën e 68-të, shënojnë edhe golin e katërt. Kësaj radhe do të ishte kapiteni Hysaj, i cili pas një asisti të Roshit, shënon me kokë brenda zonës kundërshtare. 4 minuta më vonë, autori i golit të dytë, Qazim Laçi del nga loja, vendin e të cilit e zë Ylber Ramadani. Myrto Uzuni është autori i golit të pestë, të shënuar në të 80-n minutë, pas një asisti të Armando Brojës.

Reja kryen në fund edhe dy zëvendësimet e fundit, ku del nga loja Hysaj dhe Uzuni dhe vendin e tyre e zënë Doka dhe Çokaj. Ky i fundit ishte debutues me Kombëtaren. Edhe në minutat e fundit të lojës, skuadra krijoi disa raste të tjera për gol, por që goditjet nuk përfunduan në portën kundërshtare.

Pas përfundimit të ndeshjes, lojtarët u përshëndetën me tifozët që kishin ardhur në stadium, të cilët ishin në mbështetje të Kombëtares në të dyja sfidat që Shqipëria zhvilloi në Elbasan Arena.

 

SHQIPËRI – SAN MARINO 5-0

Golat: Manaj 32′, Laçi 58′, Broja 61′, Hysaj 68′, Uzuni 80′