Sot paradite në orën 10.00 në Federatën Shqiptare të Futbollit, Sektori i Garave dhe Sektori i Marketingut, organizuan një takim me përfaqësues të klubeve të Kategorisë Superiore dhe asaj të Kompanise e Sigurimeve Sigal. Qëllimi i këtij takimi, ishte sqarimi i klubeve të futbollit në lidhje me përfitimet që do të kenë futbollistët në rast dëmtimesh, nga kompania “Sigal Uniqa Group Austria sh.s” që është edhe një prej sponsorëve të Federatës Shqiptare të Futbollit. Sipas kontratës së nënshkruar në muajin maj, nga Presidenti i FSHF Armand Duka dhe Drejtori Ekzekutiv i Kompanisë “Sigal Uniqa Group Austria sh.s” Avni Ponari, përfitues të sigurimeve do të jenë përveç lojtarëve të ekipeve kombëtare edhe futbollistët e Kategorisë Superiore. Në takim, ka marrë pjesë edhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF, Bardhyl Minxhozi.
“Ishte një takim i karakterit informues, me klubet e Kategorisë Superiore, për ti njohur ata në lidhje me sigurimin që i bëhet futbollistëve të tyre, në raste të dëmtimimeve të mundshme gjatë edicionit futbollistik. Për çdo klub, kanë të drejtë të përfitojnë sigurime, 25 futbollistë”- deklaroi për faqen zyrtare të FSHF, shefi i Sektorit të Garave Lysjen Nurishmi.

















