Shulku u bën apel tifozëve të mos e dënojnë Kombëtaren - FSHF

Shulku u bën apel tifozëve të mos e dënojnë Kombëtaren

Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, Ilir Shulku, u bëri apel tifozëve të Kombëtares shqiptare që të jenë më të kujdesshëm me sjelljen e tyre gjatë ndeshjeve dhe të mos ndërmarrin veprime që mund të kenë pasoja që mund t’i kushtojnë rëndë skuadrës, federatës, por edhe vetë atyre.

Në një konferencë për shtyp, Shulku bëri me dije se Shqipëria rrezikon të luajë me dyer të mbyllura ndeshjen e 12 nëntorit ndaj Izraelit për shkak të hedhjes në mënyrë të përsëritur të shashkave dhe ndezjes së flakadanëve në shkallët e stadiumit.

“Incidentet e ndeshjeve me Lihtenshtejnin dhe Spanjën, me flakadanë dhe shashka janë raste të përsëritura. Ndaj Maqedonisë u gjobitëm me rreth 50 mijë euro, ndërsa tani rrezikojmë që të luajmë në fushën tonë pa tifozë. UEFA ka hapur çështjen dhe jemi një pritje të vendimit. Të vjen keq që për një grup të vogël personash, të dënohen të gjithë tifozët”, – tha Shulku, ndërsa deklaroi se FSHF do të ndërmarrë një fushatë sensibilizimi dhe një seri takimesh me të gjithë aktorët e përfshirë për të evituar që të tilla ngjarje të përsëriten.

“Do të zhvillojmë takime me grupimet e tifozëve, policinë dhe më gjerë. Të gjithë bashkë të kontribuojmë për të sensibilizuar një mënyrë që të jemi korrekt në ndeshjet e ardhshme. Nuk kemi menduar për të ndëshkuar askënd nga grupimet në sektorët ku janë shfaqur këto probleme, pasi jemi ende në fazën paraprake”, – shtoi ai.

Më tej, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit siguroi se do të ketë ashpërsime të masave të sigurisë për hyrjen  tifozëve në stadium gjatë ndeshjeve të ardhshme ndërkombëtare për të parandaluar probleme të ngjashme.

“Sigurisht, që do të ketë ashpërsim të masave të sigurisë, sepse ky fenomen po vazhdon prej kohësh. Ne kërkojmë që tifozët në stadiumin ‘Loro Boriçi’ të sillen njësoj si në Kampionatin Europian”, – deklaroi Ilir Shulku gjatë konferencës për shtyp.