Shtyhen Kampionatet e Kat. 1 dhe Kat. 2 - FSHF

Shtyhen Kampionatet e Kat. 1 dhe Kat. 2

Federata Shqiptare e Futbollit, njofton klubet, opinionin publik dhe mediat, se Kampionati Kombëtar i Kategorisë së Parë dhe të Dytë, nuk do të fillojnë në këtë fundjavë. Shtyrja e këtyre aktiviteteve për një afat të pacaktuar (përfshihet edhe Kupa e Shqipërisë), është kryer për disa arësye:
– Policia e Shtetit, nuk merr përsipër që të mbulojë me shërbimet e saj disa ndeshje kampionati, në stadiume të caktuara.
– Dokumentacioni i paraqitur nga klubet nuk ka qenë i plotë dhe i detajuar, konform rregullores së FSHF.
– Klubet vazhdojnë të mos plotësojnë detyrimet financiare, pa të cilat është e pamundur të fillojë aktiviteti sportiv.
Institucioni i futbolli shqiptar, duke njohur përgjegjësitë që ka për organizmin e eventeve dhe marrëdhëniet me klubet, i bën thirrje këtyre të fundit që të plotësojnë të gjithë detyrimet që kanë brenda afateve të përcaktuara.
FSHF, kërkon nga ana e Policisë së Shtetit, që të njohë përgjegjësitë e saj zyrtare dhe të sigurojë rendin në stadiume. Pa garancinë e saj, s’mund të ketë zhvillim normal të aktiviteteve. Shfaqjet e dhunës të shfaqura deri më tani në stadiumet shqiptare, nuk mund të evitohen pa praninë e forcave të rendit dhe ndërhyrjen energjike të policisë.
FSHF është e hapur, për të bashkërenduar një plan masash me Policinë e Shtetit për të përballuar denjësisht zhvillimin normal të aktiviteteve futbollistike.


Duke kontrolluar karten...