Shoqata Rajonale e Futbollit Elbasan zhvilloi edhe këtë vit një nismë sensibilizuese për dhurimin e gjakut në ndihmë të fëmijëve talasemikë, duke vijuar një traditë humane që synon të përcjellë mesazhe solidariteti dhe mbështetjeje për njerëzit në nevojë.
Në këtë aktivitet u bashkuan trajnerë, sportistë, delegatë dhe përfaqësues të SHRF Elbasan, të cilët iu përgjigjën thirrjes për të dhuruar gjak, duke kontribuar në një kauzë me rëndësi jetike për fëmijët talasemikë që kanë nevojë të vazhdueshme për transfuzione gjaku.
Përfaqësuesit e Shoqatës Rajonale të Futbollit Elbasan theksuan se futbolli nuk përfaqëson vetëm garën sportive dhe rezultatet në fushë, por edhe përgjegjësinë sociale dhe angazhimin për komunitetin.
Kjo iniciativë vjen si pjesë e angazhimeve të vazhdueshme të Shoqatës Rajonale të Futbollit Elbasan në aktivitete sociale dhe humanitare, duke treguar edhe një herë se futbolli mund të shërbejë si një urë solidariteti dhe shprese për njerëzit në nevojë.


























