Shqipëria U-19 për femra vijon përgatitjet për kualifikueset e Kampionatit Europian 2022 - FSHF

Shqipëria U-19 për femra vijon përgatitjet për kualifikueset e Kampionatit Europian 2022

Kombëtarja U-19 e femrave ka nisur që prej ditës së diel grumbullimin dhe stërvitjet intensive në kuadër të ndeshjeve kualifikuese të vlefshme për Kampionatin Europian 2022. Shqipëria U-19 është shortuar në grupin B3 së bashku me Andorrën, Uellsin dhe Moldavinë, me ndeshjet që do të luhen në Andorra në datat 19, 22 dhe 25 tetor.

Skuadra po zhvillon seancat stërvitore në kompleksin “Tropikal” në Durrës, nën drejtimin e trajnerit të sapoemëruar, Kreshnik Krepi, i cili disa ditë më parë ka pasur edhe mundësinë të zhvillojë një seleksionim me futbollistet e kësaj grupmoshe që aktivizohen në kampionatin shqiptar, në Qendrën e Ekipeve Kombëtare në Kamëz. Në këto seanca stërvitore kanë marrë pjesë të gjitha lojtaret e grumbulluara dhe deri më tani nuk ka asnjë problem me dëmtimet apo ndryshime programi.

Sakaq, Kombëtarja U-19 do të zhvillojë ditën e premte një sfidë miqësore me Vllazninë e femrave përpara nisjes të dielën për në Andorra, ku do të masë forcat përpara se të nisë fushatën eliminatore të Europianit. Shqipëria do të luajë ndeshjen e parë ndaj Moldavisë më 19 tetor, ndërsa më 22 tetor do të luajë kundër Andorrës. Ndeshja e tretë dhe e fundit do të jetë ajo kundër Uellsit më 25 tetor. Vajzat kuqezi gjenden në Ligën B dhe do të tentojnë ngjitjen në Ligën A.

Sipas vendimit të marrë nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, kualifikueset e U-17 dhe U-19 për futbollin e femrave janë riorganizuar së fundmi. Ekipet kombëtare janë të ndara në dy liga, A dhe B, me skuadrat e Ligës A që garojnë për t’u kualifikuar në Europian dhe skuadrat e Ligës B për t’u bërë konkuruese dhe për t’u ngjitur një ligë më lart dhe për të arritur Kampionatin Europian.