Shqipëria U-17 në prag të Elite Round, Bulku: Synojmë kualifikimin në finale dhe të shkruajmë historinë! - FSHF

Shqipëria U-17 në prag të Elite Round, Bulku: Synojmë kualifikimin në finale dhe të shkruajmë historinë!

Shqipëria U-17 nis sot rrugëtimin në fazën Elite Round të Europianit të kësaj grup-moshe, me skuadrën kuqezi që grumbullohet dhe zhvillon seancën e parë stërvitore. Shorti e ka vendosur Shqipërinë në Grupin 8 së bashku me Francën, Zvicrën dhe Letoninë, ndërsa ndeshjet e kësaj faze do të luhen në vendin tonë në muajin mars 2023.

Në nisje të grumbullimit, trajneri i ekipit kuqe, Ervin Bulku doli në një konferencë për median, teksa foli për zgjedhjet e tij dhe për objektivat që ka Shqipëria U-17 në këtë turne. Sipas Bulkut, synimi është i qartë për t’u kualifikuar për në finalet e Europianit 2023 që do të zhvillohen në Hungari në muajt maj-qershor. Rrugëtimi i Shqipërisë U-17 fillon përballë Francës, sfidë që do të zhvillohet më 22 mars në stadiumin “Air Albania” duke nisur nga ora 11:30. Ndeshja e dytët Zvicër-Shqipëri luhet më 25 mars ora 17:00 po në “Air Albania”, ndërsa sfida e fundit është ajo ndaj Letonisë që luhet në “Air Albania” duke nisur nga ora 17:00.

Tekniku kuqezi ka bindjen se ky grup mund të synojë të marrë maksimumin nga këto sfidat për të shkruar historinë e futbollit shqiptar.

Lista & rivalët – “Lista ka qenë edhe më e madhe me lojtarë të kampionatit shqiptar, por duke qenë se ne kemi zhvilluar ndeshje shumë të mira dhe jemi kualifikuar disa nga lojtarët që kemi në listë janë transferuar në klube të huaja ndërkohë te ekipe si Sampdoria. Duke para rivalët e grupit, kemi respekt për Francën, Zvicrën dhe Letoninë, por ne kemi objektiva të qarta, që të kualifikohemi për në finalet e Europianit 2023.

Franca sigurisht është kampionia në fuqi e Europës, por ne nuk i trembemi asnjë kundërshtari, sepse këto djem kanë treguar dhe meritojnë respekt, pasi janë përballur denjësisht me skuadra po kaq të forta dhe arritur të kalojnë eliminatoret. Nuk shoh asnjë arsye pse të mos tentojmë për të shkuar në finalet e Europianit. Gjithçka nga varet nga ne, urojmë që çdo gjë të shkojë mirë dhe djemtë të jenë në formën e tyre më të mirë dhe të gjithë bashkë të arrijmë të marrim një rezultat që të hyjmë në histori për futbollin shqiptar”.

Prurjet e reja & objektivat – “Në fakt baza e grupit tonë është po e njëjta, pra janë thuajse të njëjtë lojtarë që kanë qenë pjesë e suksesit duke u kualifikuar për në Elite Round. Është e vërtetë që kemi afruar disa lojtarë të rinj me Hasani e Sulejmanin, të cilët aktivizohen në Gjermani e ne shpresojmë që qeveria të na ndihmojë duke i pajisur sa më shpejt me pasaporta shqiptare në ditët e ardhshme, pasi në të kundërt do të jetë e pamundur që ata të aktivizohen. Ne mendojmë që për momentin kemi në dispozicion të gjithë lojtarët më të mirë të kësaj grup-moshe. Ka edhe lojtarë të tjerë që janë shumë të mirë, por për momentin akoma nuk kanë vendosur nëse do të zgjedhin Shqipërinë ose jo. Janë lojtarë që aktivizohen me Kombëtare shumë të forta si Italia, Gjermani apo Irlanda, dhe janë kontaktuar nga ana jonë gjatë gjithë kohës dhe shpresojmë që në një të ardhme s më të shpejtë të bëhen pjesë e ekipeve tona kombëtare të moshave. Nuk mund të them se cili është kundërshtari më i lehtë apo më i fortë, por për ne çdo ndeshje vlen tre pikët. Është e rëndësishme të marrim pikët e plota e të mjaftueshme për të shkuar në finalet e Europianit”.

Përgatitjet për turneun – “Jo më kot i kemi zhvilluar edhe katër ndeshjet miqësore në fushën tonë në mënyrë që skuadra të ambientohet me kushtet e stadiumit. Janë një moshë delikate dhe mund të kenë emocione, por tashmë mendoj se janë mësuar dhe janë lojtarë të cilët aktivizohen me klubet e tyre. Kam bindjen se jemi plotësisht gati, shpresoj edhe në rikuperimin e një lojtari tonë shumë i rëndësishëm në mesfushë dhe t’i kemi të gjithë të gatshëm për ndeshjen e parë dhe në vazhdimësi. Ky turne ka dhe një specifikë, që vetëm 20 lojtarë mund të përfshihen në listën finale. Ne kemi ftuar 25 lojtarë dhe gjatë kësaj jave do të shohim se cilët do të jenë në formë më të mirë dhe do të bindin stafin teknik. Rregullorja nuk të lejon që ta ndryshosh pas nisjes së turneut listën zyrtare dhe ata 20 lojtarë që do të përfshihen në listë do të jenë të gatshëm për të treja ndeshjet e turneut. Për mua janë të gjithë të rëndësishëm për skuadrën, nga i pari deri tek i fundit, nuk ka rëndësi se ku kontribuojnë, në formacion titullar apo nga stoli”.

Pikëpyetjet dhe ambientimi – “Ne jemi të vetmit që zhvillojmë ndeshjet e kësaj grup-moshe në stadiumin kombëtar, një ambient i shkëlqyer me kushte ideale, nëse një lojtar nuk bën një zgjedhje me zemër dhe ka dilemat e tij, e rëndësishme është që në ekipin Kombëtar të vijnë ata lojtarë që e dashurojnë fanellën, e dashurojnë vendin e tyre dhe të japin maksimumin për ekipin kombëtar. Nuk kam asnjë pikëpyetje për zgjedhjet e mia, i vetmi dyshim është pajisja e dy lojtarëve me pasaportë. I kam idetë e qarta, të gjithë lojtarët i kemi vëzhguar gjatë gjithë periudhës, kemi zhvilluar edhe ndeshjet eliminatore, edhe miqësore. Kemi edhe 2-3 lojtarë që javët e fundit kanë hasur probleme fizike, ndaj është edhe lista me 25 lojtarë. Sa i përket renditjes së ndeshjeve, gjithçka është e përcaktuar në rregullore sipas koeficienteve dhe ndaj ne e nisim ndaj kundërshtarit më të fortë. Nuk është diçka që mund ta përcaktojmë ne pjesën e kalendarit”.