Kombëtarja shqiptare U-14 barazoi 2-2 ndaj Maqedonisë së Veriut U-14 në ndeshjen e parë miqësore të zhvilluar në stadiumin “Biljanini Izvori” në Ohër.
Trajneri Francesco Vitobello e nisi ndeshjen me këtë formacion titullar: Dijon Haxhosaj, Gabriel Haka, Alessio Paloka, Ergi Syziu, Uvejs Kadriu, Roger Mecja, Alfons Marku, Gerald Qirjazi, Rouen Dani, Brajan Hykollari dhe Patrik Shurdhaqi.
Maqedonia e Veriut kaloi në avantazh në minutën e 3-të me Leis Fakik, ndërsa kuqezinjtë reaguan mirë dhe barazuan shifrat në minutën e 21-të me Rouen Dani.
Maqedonia e Veriut realizoi sërish me Nenad Jovanovik në minutën e 43-të, por Shqipëria U-14 nuk u dorëzua dhe arriti të rikthente ekuilibrin në minutën e 80-të falë golit të Ined Radheshit, duke mbyllur takimin në barazim 2-2.
Ky takim ishte një tjetër mundësi e rëndësishme për stafin teknik të vlerësojë nga afër progresin e futbollistëve të rinj dhe për t’u dhënë atyre eksperiencë ndërkombëtare në kuadër të projektit të zhvillimit të talenteve.
Ndeshja e dytë miqësore mes Shqipërisë U-14 dhe Maqedonisë së Veriut U-14 do të luhet më 19 qershor, në orën 11:00, në aneksin e stadiumit “Skënderbeu” në Korçë.

















