Shqipëria zhvilloi ndeshjen e fundit kualifikuese në Grupin E kundër Ishujve Faroe. Sfida përfundoi në barazim pa gola 0-0 dhe kuqezinjtë regjistruan një tjetër arritje historike, duke e mbyllur në vendin e parë në Grupin E me 15 pikë. Edhe Çekia është në të njëjtën kuotë pikësh, por rezultatet pozitive në ndeshjet direkt bën që kuqezinjtë të renditen të parët.
Në një Air Albania të mbushur në kapacitet maksimal, trajneri Sylvinho e nisi me këtë formacion titullar: Strakosha (GK), Balliu, Ismajli, Gjimshiti, Mitaj, Asllani, Bare, Bajrami, Uzuni, Asani, Daku.
Shqipëria dominoi takimin gjatë gjithë ndeshjes. Rasti i parë i rrezikshëm ishte me Nedim Bajramin, i cili provoi me një goditje të fortë por u ndal nga portieri kundërshtar, ndërsa rasti më i pastër u regjistrua në minutën e 45+7 me Dakun, i cili nuk arriti të shënonte i vetëm përballë portierin. Edhe në fraksionin e dytë kuqezinjtë shpërdoruan disa raste të mira, ndërsa trajneri Silvinjo aktivizoi në pjesën e dytë edhe Muçollin, Laçin, Cikalleshi dhe Muçin.
Në fund gjithçka përfundoi 0-0 dhe Shqipëria përmbyll një edicion fantastik dhe historik, me sigurimin e finaleve të Europianit “Gjermani 2024”. Rrugëtimi i Shqipërisë në këtë edicion kualifikues mbyllet me 1 humbje, dy barazime dhe katër fitore.