SHQIPËRIA KUALIFIKOHET NË EURO 2024! Kombëtarja shqiptare barazoi me rezultatin 1-1 ndaj Moldavisë në stadiumin “Zimbru” duke siguruar pjesëmarrjen për herë të dytë në histori në finalet e një Kampionati Europian. Vetëm një pikë mjaftonte për të shkuar në “Gjermani 2024” dhe kuqezinjtë ia dolën më së miri, ashtu siç kanë bërë gjatë gjithë këtij edicioni kualifikues duke siguruar me meritë të plotë finalet e Kampionatit Europianit në “Gjermani 2024”.
Trajneri Silvinjo e nisi me këtë formacion titullar sfidën ndaj Moldavisë: Berisha (GK), Hysaj, Gjimshiti (C), Ismajli, Mitaj, Ramadani, Asllani, Bajrami, Seferi, Asani, Cikalleshi.
Shqipëria dominoi takimin që në startin e ndeshjes dhe arriti ta zhbllokonte sfidën në minutën e 25 me Sokol Cikalleshin. Taulant Seferi fitoi një penallti pas një faulli të shkaktuar në zonë nga lojtari moldav. Nga pika e bardhë e 11 metrave goditi saktë Cikalleshi duke i dhënë avantazhin skuadrës tonë.
Pjesa e parë u mbyll 1-0 në favor të kuqezinjve, ndërsa fraksioni i dytë nisi më mirë për vendasit që rrezikuan me disa goditje, megjithatë Berisha ishte i gatshëm në portë duke shmangur çdo lloj rreziku. Në minutën e 62 trajneri Silvinjo kreu zëvëndësimin e parë duke aktivizuar Mirlind Dakun ndërsa në të 74-ën Seferi i shkoi shumë pranë golit të dytë, por goditja u ndal nga tranversa.
Në minutat në vijim Silvinjo futi në fushën e lojës edhe Gjasulën ndërsa në të 87-ën pas një aksioni të rrezikshëm Moldavia vendosi baraspeshën me golin e Baboglo. Megjithatë, në fund gjithçka përfundoi 1-1 dhe më pas festa legjitime.
Jemi në Europian! Jemi në Gjermani 2024! Urime Shqipëri!
Të hënën më datë 20 nëntor në orën 20:45 në stadiumin “Air Albania”, Shqipëria do të zhvillojë takimin e fundit në këtë edicion kualifikues ndaj Ishujve Faroe, ku do të kërkohet fitorja për të siguruar përfundimisht vendin e parë në Grupin E. Gjithashtu në stadiumin “Air Albania” do të festohet kualifikimi në Kampionatin Europian “Gjermani 2024”, aty ku Federata Shqiptare e Futbollit do të organizoj një mbrëmje fantastike.