Shqipëria fiton 2-1 “vëllazëroren” me Kosovën - FSHF

Shqipëria fiton 2-1 “vëllazëroren” me Kosovën

Kombëtarja shqiptare ka fituar me rezultatin 2-1 “vëllazëroren” me Kosovën që u zhvillua sot në stadiumin “Elbasan Arena” të Elbasanit. Trajneri Reja vendosi ta niste miqësoren me disa debutues në formacion si Doka, Çepele, Hoxhallari apo Selahi.

Pas një fillimi të qetë kuqezinjtë arrijnë të gjejnë golin e avantazhit në minutën e 31-të pas një aksioni shumë të bukur. Uzuni merr një pasim në të majtën nga Seferi dhe pasi driblon Rrahmanin jep një asist të shkëlqyer në zonë për Balajn, i cili po me një veprim po aq të bukur e dërgon topin në rrjetë dhe kalon në avantazh kuqezinjtë.
Pjesa e parë mbyllet me avantazhin minimal të Shqipërisë, ndërkohë që në pjesën e dytë, tekniku Reja bën disa ndryshime duke hedhur në fushë Hoxhën, Veselin, Hysajn dhe Rei Manaj, të cilët zëvendësojnë Berishën, Seferin, Hoxhallarin dhe Balajn.

Në minutën e 64-të do të vijë edhe goli i dytë për Kombëtaren tonë. Selahi shfrytëzon një kundërsulm dhe shkëputet nga e majta dhe jep një pasim të bukur për Uzunin me këtë të fundit që godet saktë dhe shënon golin e dytë.
Në vijim Reja bën edhe disa ndryshuar të tjera duke zëvendësuar Selahin me Kallakun dhe Uzunin me Ismajlgecin. Në minutën e 85-të Kosova do të gjejë golin e vetëm të takimit. Muriqi pëson një faull në zonë nga Çepele dhe gjyqtari akordon 11-metërsh. Është po vetë Muriqi që godet saktë dhe shënon, duke mposhtur Hoxhën dhe duke fiksuar shifrat finale në 2-1.

Pas miqësores, Kombëtarja luan më 15 nëntor ndaj Kazakistanit në stadiumin “Air Albania” dhe më 18 nëntor ndaj Bjellorusisë po në këtë stadium ato që janë dy sfidat e fundit të Ligës së Kombeve.

SHQIPËRI – KOSOVË 2-1
Golat: Balaj 31′, Uzuni 64′ / Muriqi 85′