Shqipëria barazon pa gola me Estoninë - FSHF

Shqipëria barazon pa gola me Estoninë

Shqipëria e ka mbyllur me barazimin 0-0 ndeshjen e tretë të muajit qershor ndaj Estonisë. Kjo ishte një miqësore që kuqezinjtë zhvilluan, teksa në këtë datë, kuqezinjtë do të luanin ndaj Rusisë më kuadër të Ligës së Kombeve, por që është përjashtuar nga kompeticionet e UEFA-s.

Në këtë  sfidë, trajneri Reja pati mundësinë të aktivizonte dhe të provonte disa lojtarë të rinj, të cilët treguan vlerat e tyre në skuadrën kuqezi. Pavarësisht kontrollit të topit, kuqezinjtë nuk arritën të lënë gjurmë në këtë sfidë, duke e mbyllur ndeshjen me porta të paprekura.

Rasti më i mirë për shënim në pjesën e parë u krijua nga Giacomo Vrioni, i cili në një kërcim së larti, e dërgon topin mbi rrjetë. Gjatë pjesës së dytë të lojës, trajneri vendosi të bëjë disa ndryshime, duke nisur nga porta, me Kastratin që zë vendin e Selmanit, teksa aktivizohen edhe Broja (Seferi), Uzuni (Veseli), Abrashi (Çokaj), Mersinaj (Vrioni), Çekiçi (Mucolli). Rastet më të rrezikshme për shënim për kuqezinjtë i krijon Endri Çekiçi, i cili ekzekuton mirë dy goditje dënimi, por topi nuk gjen rrjetën kundërshtare.

Me barazimin 0-0 mbyllet kjo miqësore, me Shqipërinë që do të rikthehet të luajë sërish në muajin shtator, fillimisht në transfertë ndaj Izraelit më 24 shtator e më pas për ta përmbyllur në shtëpi ndaj Islandës më 27 shtator.