Shpërndahen certifikatat për 400 vullnetarët e finales së Conference League - FSHF

Shpërndahen certifikatat për 400 vullnetarët e finales së Conference League

Pas përfundimit me sukses të finales së Conference League, kompeticioni i ri i UEFA-s që uli siparin e edicionit të parë në Tiranë mbrëmjen e 25 majit, janë shpërndarë certifikatat dhe dhuratat për 400 vullnetarët e angazhuar në këtë event madhështor. Një certifikatë mjaft e vlefshme për CV-në e të gjithë pjesëmarrësve  në këtë aktivitet.

Ditën e djeshme, të gjithë vullnetarët kanë pasur mundësi të tërheqin certifikatat në “selinë” e tyre, në Pallatin e Kongreseve, ku kanë bërë edhe një foto me trofeun e UEFA Conference League.

Gjatë shpërndarjes së dhuratave dhe certifikatave, Përgjegjësja e Programit të vullnetarëve në këtë projekt, Edlira Jaupaj vlerësoi punën e bërë nga ata dhe i uroi shumë suksese në të ardhmen, duke shpresuar që rrugët e tyre me FSHF-në të bashkohen sërish në evente të tilla të ngjashme.

Ky program erdhi për herë të parë në Shqipëri, ku secili vullnetar ka pasur mundësi të aplikojë në një faqe të dedikuar për vullnetarët në faqen zyrtare të FSHF-së.

Vullnetarët u trajnuan për 10 ditë me radhë nga stafi i UEFA-s për 32 pozicione të ndryshme që mbuluan në këtë aktivitet, që nga ceremonia e finales, te siguria, akreditimet, fan zone-t etj. Rekrutimi i 400 vullnetarëve erdhi pas një fushate të gjatë nga FSHF dhe stafi i dedikuar për këtë pjesë, teksa në total kanë ardhur 4000 aplikime.

Vlen të theksohet se rreth 2000 aplikime kanë ardhur nga shtetas të huaj, por FSHF në bashkëpunim me UEFA-n i kanë dhënë prioritet të rinjve shqiptarë, të cilët e kaluan me shumë sukses këtë sfidë të parë.

Federata Shqiptare e Futbollit po punon për të krijuar një Sektor të veçantë për vullnetarët brenda institucionit, të cilët do të asistojnë në evente dhe aktivitete të ndryshme të Kombëtares apo FSHF-së.