Tre skuadrat shqiptare, Kukësi, Laçi dhe Partizani, pjesëmarrëse në UEFA Europa Ligë, kanë mësuar gjithashtu për kundërshtarët e tyre në shortin e hedhur në Nion të Zvicrës. Kukësi, i renditur i dyti në Kampionatin e Kategorisë Superiore, do të luajë kundër Torpedos së Bjellorusisë. Kukësi ishte i vendosur në grupin e parë, në vazon e dytë. Kundërshtarët e mundshëm ishin: Litex Lovech (Bullgari), FC Sheriff (Moldavi), FC Saint Johnstone (Skoci), NK Koper (Slloveni) dhe FC Torpedo Zhodino (Bjellorusi).
Laçi që merr pjesë në UEFA Europa Ligë, si fitues i Kupës së Shqipërisë, do të ndeshet kundër azerbajxhanëve të Inter Baku. Laçi ishte i vendosur në grupin e tetë. Kundërshtarët e mundshëm ishin: AIK Solna (Suedi), Go Ahead Eagles (Hollandë), Inter Baku (Azerbajxhan), Reykjavik (Islandë) dhe Tórshavn (Ishujt Faroe).
Partizani që kthehet në Europë pas një periudhe relativisht të gjatë, do të ndeshet kundër norvegjezëve të Stromsgodset. Partizani ishte i vendosur në grupin e nëntë. Kundërshtarët e mundshëm ishin: Neftçi PFK (Azerbajxhan), NK Domžale (Slloveni), Stromsgodset IF (Norvegji), F91 Dudelange (Luksemburg), MSK Žilina (Sllovaki VK).
Takimet e para do të zhvillohen më 2 korrik, ndërsa ato të kthimit më 9 korrik.

















