Shorti i Elite Round të Europianit të moshës U-17, Shqipëria njihet më 8 dhjetor me rivalët - FSHF

Shorti i Elite Round të Europianit të moshës U-17, Shqipëria njihet më 8 dhjetor me rivalët

Kombëtarja shqiptare U-17 do të njihet me kundërshtarët që do të ketë përballë në fazën Elite Round të Kampionatit Europian 2023 të kësaj grup-moshe. Shorti do të hidhet më datën 8 dhjetor në zyrat e UEFA-s në Nion të Zvicrës, ku do të përcaktohen grupet e kësaj faze dhe datat kur do të luhen ndeshjet.

Shqipëria U-17 arriti të kualifikohej në këtë fazë pas ndeshjeve të turit eliminator të Europianit që u luajtën në muajin tetor, duke u renditur mes vendeve të treta më të mira të këtij raundi. Skuadra kuqezi e drejtuar nga trajneri Ervin Bulku mbylli grupin 7 në vendin e tretë me 4 pikë, po aq sa Kroacia e vendit të dytë, ndërsa në krye të grupit u rendit Uellsi me 5 pikë.

Në fazën Elite Round të Kampionatit Europian U-17 marrin pjesë 32 skuadrat e kualifikuara që do të ndahen në 8 grupe me nga 4 skuadra secila të ndara në katër vazo, ndërsa ndeshjet e grupeve të këtij raundi duhet të përfundojnë brenda datës 28 mars 2022.

Shqipëria është pozicionuar në vazon D të shortit së bashku me Islandën, Finlandën, Republikën e Irlandës, Slloveninë, Sllovakinë, Irlandën e Veriut dhe Bjellorusinë. Në vazon A ndodhen Holanda, Spanja, Serbia, Franca, Portugalia, Italia, Belgjika dhe Mali i Zi. Në vazon B janë Anglia, Republika Çeke, Norvegjia, Ukraina, Zvicra, Uellsi, Gjermani dhe Izraeli. Ndërsa vazoja C përbehet nga Turqia, Bosnje-Hercegovina, Danimarka, Polonia, Qipro, Skoci, Kroaci dhe Letoni.

Menjëherë pas shortit përfaqësuesit e FSHF-së do të ulen me përfaqësuesit e skuadrave të grupit për të përzgjedhur vendin ku do të luhen ndeshjet e kësaj faze dhe datat e përballjeve.

Tetë ekipet e vendeve të para të grupeve së bashku me shtatë vendet e dyta më të mira do të avancojnë për në fazën finale të Europianit U-17, që do të zhvillohet në Hungari nga data 17 maj e deri më 2 qershor 2023.

Foto: Fatlum Kurtaj
Foto: Fatlum Kurtaj