Shoqata Rajonale e Futbollit Lezhë vijon angazhimin për promovimin e futbollit dhe përfshirjen e fëmijëve në aktivitete sportive, duke organizuar një festival futbolli në ambientet e shkollës “At Shtjefën Gjeçovi”.
Në këtë aktivitet morën pjesë rreth 70 fëmijë, vajza dhe djem, të cilët u bënë pjesë e një festivali futbolli, në një atmosferë plot energji, argëtim dhe bashkëpunim.
Të pranishëm në festival ishin Kryetari i Shoqatës Rajonale të Futbollit Lezhë, Drejtori Teknik, trajnerët e përfaqësueseve rajonale, si edhe arbitrja e FIFA-s, Eglantina Pjetrushi, të cilët mbështetën dhe inkurajuan fëmijët gjatë gjithë aktivitetit.
Përmes organizimit të festivaleve të tilla, Shoqata Rajonale e Futbollit Lezhë synon të afrojë sa më shumë fëmijë me sportin, duke promovuar një stil jetese aktiv dhe vlerat që përcjell futbolli, si bashkëpunimi, respekti dhe miqësia.
Njëkohësisht, SHRF Lezhë po forcon bashkëpunimin me shkollat dhe komunitetin lokal për të krijuar më shumë mundësi për përfshirjen e fëmijëve në aktivitete sportive dhe edukative.
Ky festival solli emocione pozitive dhe shumë entuziazëm tek fëmijët, duke përcjellë edhe njëherë mesazhin se futbolli është një mjet i rëndësishëm për edukimin, socializimin dhe zhvillimin e brezave të rinj.

























