Sërish Uzuni! Gol “kualifikimi” për Ferencvarosh në Champions - FSHF

Sërish Uzuni! Gol “kualifikimi” për Ferencvarosh në Champions

Myrto Uzuni e ka nisur mbarë këtë edicion të ri futbollistik me skuadrën hungareze të Ferencvarosh, teksa ka qenë sërish protagonist absolut mbrëmjen e së martës.

Në ndeshjen e luajtur kundër Zalgiris, e vlefshme për turin eliminator të UEFA Champions League, sulmuesi i Kombëtares shqiptare shënoi golin e parë për ekipin e tij, duke i kaluar në avantazh që në minutën e 25-të të takimit. Beratasi shfrytëzoi mjaft mirë një top të dhënë nga shoku i skuadrës, duke goditur saktë nga brenda zonës.

Myrto Uzuni humbi mundësinë e një dygolëshi, pasi në minutat shtesë nuk arriti të godiste saktë nga pika e bardhë e penalltisë. E megjithatë, Ferencvarosh e mbylli ndeshjen me shifrat 2-0, ndërsa pret të luajë edhe ndeshjen e kthimit.

Vlen të theksohet fakti se në ndeshjen ndaj Prishtinës, e zhvilluar disa ditë më parë dhe e vlefshme për turin eliminator të UEFA Champions League, sulmuesi shqiptar ishte autori i një triplete.

Ky është një lajm i mirë për repartin e sulmit të Kombëtares shqiptare, që do të nisë të luajë sërish ndeshjet e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror 2022 në muajin shtator.