Seminar, me vëzhguesit e kategorisë së dytë - FSHF

Seminar, me vëzhguesit e kategorisë së dytë

Është zhvilluar seminari me vëzhguesit e kategorisë së dytë, në lidhje me problemet që kanë dalë gjatë pjesës së parë të këtij edicioni. Sot, paradite në orën 10.00, në Federatën Shqiptare të Futbollit, vëzhguesit kanë qenë të pranishëm në analizën që zhvillohet pas përfundimit të pjesës së parë të edicionit.

Sipas sektorit të vëzhguesve në Federatën Shqiptare të Futbollit, këto janë seminarë tematikë, të cilët kanë për qëllim të evidentojnë problemet dhe të sjellin përpara vëzhguesve momente të cilat kërkojnë vëmendje nga ana e tyre në pjesën tjetër të edicionit. Pjesëmarrëse ishin vëzhgues të kategorisë së dytë. Në vijim të këtij seminari, vëzhguesit analizuan problematikën e edicionit gusht-dhjetor dhe pastaj zhvilluan një test në mënyrë elektronike, që prek problematikën e vëzhgimit. Analiza u krye nga Petrit Brahja. Ndërsa referati ne lidhje me interpretimet e reja të pozicionit jashtë loje u mbajt nga Albano Janku.

“Pas seminarit me vëzhguesit e kategorisë së parë, ky i sotmi me ata të kategorisë së dytë, ka për qëllim që të njohë vëzhguesit me problematikën aktuale të edicionit dhe ti testojë ata. Në përgjithësi, u trajtuan probleme që kanë dalë, gjatë pjesës së parë të edicionit. Gjithashtu ata u njohen me interpretimet e reja në rregullore” – deklaroi , Kryetari i Komisionit të Vëzhguesve pranë FSHF, Petrit Brahja për faqen zyrtare të FSHF.