Komisioni i Vëzhguesve, pranë Sektorit të Arbitrimit në Federatën Shqiptare të Futbollit, ka organizuar sot, një seminar–analizë me vëzhguesit e kategorisë së parë. I planifikuar që në fillim të vitit, ai synon të bëjë një analizë të gjerë dhe profesionale të edicionit futbollistik që u mbyll në fundin e muajit maj. Krahas shtjellimit dhe ngritjes së problematikës së këtij edicioni, vëzhguesit janë njohur me ndryshimet më të fundit të rregullores së UEFA-s nëpërmjet lektorëve Sokol Jareci dhe Plarent Kotherja. Më pas është zhvilluar edhe testimi teorik, për të ndjekur gjendjen aktuale të vëzhguesve. Sipas Kryetarit të Komisionit të Vëzhgimit, Petrit Brahja: “Ky seminar, i planifikuar nga Komisioni, ka për qëllim shtjellimin e problematikës së edicionit të fundit dhe njohjen e vëzhguesve me ndryshimet e fundit në rregullores së FIFA”. Ky seminar, do të vazhdojë edhe nesër dhe pasnesër, me vëzhguesit e kategorisë së dytë dhe të tretë.

















