Seleksionimet/ Behari: Baza e futbollistëve vjen nga rajonalet. Trajnerët kanë punuar mirë - FSHF

Seleksionimet/ Behari: Baza e futbollistëve vjen nga rajonalet. Trajnerët kanë punuar mirë

Kjo e mërkurë shënoi ditën e tretë dhe të fundit të seleksionimeve me lojtarët e rinj të grupmoshave U-11, U-12 dhe U-13 në zonat e Tiranës dhe Durrësit. Këto seleksionime janë një mundësi shumë e mirë për të gjithë fëmijët e kësaj grupmoshe që luajnë futboll në Durrës e Tiranë e që aspirojnë të bëhen futbollistë profesionistë, duke treguar cilësitë e tyre në sytë e trajnerëve përzgjedhës.

Në një prononcim për fshf.org, trajneri i ekipit kombëtar U-18, Ardi Behari tregon rëndësinë e këtyre seleksionimeve, duke theksuar se baza e lojtarëve të ekipeve kombëtare, por edhe skuadrave të moshave në kampionatin shqiptar vjen nga ekipet rajonale. Ndër të tjera, ai i konsideron seleksionimet si një metodë frutdhënëse të përzgjedhjes së elementëve për furnizimin e ekipeve kombëtare.

“Nuk do ta teproja nëse do të thoja që kanë vlejtur jashtë mase shumë, thjesht e vetëm për faktin se nëse do t’i referohemi skuadrës U-17, që arriti dhe atë sukses duke u kualifikuar në Elite Round, baza vjen nga këto rajonale. Të gjithë lojtarët që vijnë nga kampionati shqiptar, janë nga ekipet rajonale të zonave. Këtu është baza. Nisur nga kjo, them që është një eksperiencë shumë e mirë dhe është një metodë shumë e mirë dhe frutdhënëse e përzgjedhjes së elementëve si pikënisje për furnizimin e ekipeve zinxhir të moshave” – thotë trajneri Behari në prononcimin për fshf.org, ndërsa tregon se kapiteni i ekipit kombëtar U-17, Adi Kurti, i cili është pjesë e Sampdoria-s në Itali është zbuluar pikërisht nga seleksionimet e bëra me ekipet rajonale të moshave.

“Kur themi të gjithë, ata e kanë futur tanimë emrin me meritën e tyre në librin e ekipeve kombëtare. Duke filluar që nga mbrojtja, Adi Kurti, i cili ka ardhur nga ekipi rajonal i Elbasanit, por, pjesa më e madhe kanë ardhur nga ekipet rajonale të moshave”– thotë trajneri Behari.

Tekniku kuqezi flet edhe për elementët e rinj që kanë spikatur në këto seleksionime, duke theksuar se ka shumë dëshirë dhe është rritur mënyra se si interpretohet loja, cilësitë e futbollistëve të vegjël, si edhe inteligjenca në lojë. Gjithashtu, profesor Behari vlerëson edhe punën e trajnerëve të ekipeve rajonale.

“Talente ka, por talent është shumë fjalë e madhe. Por, ka shumë dëshirë, shumë pjesëmarrje dhe është rritur niveli në konceptin e lojës dhe në cilësitë bazë të lojtarëve në këtë moshë. Sepse në këtë moshë shikohen cilësitë bazë të lojtarëve, si inteligjenca, shpejtësia, teknika dhe mendoj që relativisht punohet mirë dhe në ndryshim nga vitet e tjera, puna ka ardhur në ngritje edhe me këto mosha. Një vit më parë na ka ndodhur që Tirana kishte cilësi, kurse rrethet ishin pak më mbrapa në cilësi. Ndërsa këtë vit, nuk shikoj ndonjë dallim të madh në cilësi midis Tiranës dhe rajonaleve të tjera të Shqipërisë. Është rritur mënyra e interpretimit të lojës, është rritur pjesa e teknikës bazë. Ndërsa të tjerat janë cilësi të lindura të lojtarit. Inteligjenca në marrëdhënie me lojën është rritur goxha. Pra ka koncepte loja dhe kjo na jep të kuptojmë që ka filluar të ndryshojë edhe mënyra e punës së trajnerëve të këtyre moshave” – thotë trajneri Ardi Behari në prononcimin e tij për fshf.org.