Sektori i Garave ne Federatën Shqiptare të Futbollit, ka zhvilluar të premten paradite në sallën e konferencave një seminar me delegatët e kategorisë së dytë dhe ata të amatorëve. Në qendër të tij, ishte tërheqja e vëmendjes së tyre për mbarëvajtjen sa më të mirë të ndeshjes. Problematika e vërejtur në sezonin e kaluar ka zënë një pjesë të mirë të kohës. Shefi i Garave në FSHF, Besnik Çela ka këmbëngulur në faktin që të metat e vëna re, duhet të kurohen me kujdes. “Delegatët duhet të jenë të vëmendshëm dhe të zbatojnë me përpikmëri rregulloren e aktivitetit, duke parandaluar kështu çdo shkelje që cënon bukurinë e lojës dhe zhvillimin normal të aktivitetit”- ka deklaruar ai. Më pas, janë dhënë edhe shembuj tipikë për ngjarje që duhen patur parasysh.

Në këtë seminar, ka qenë i pranishëm edhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHF Ilir Shulku. “Delegati duhet të vlerësojë me kujdes dhe profesionalizëm çdo situatë për të qenë i gatshëm dhe për të gjetur zgjidhje të shpejta që ndikojnë në ecurinë positive të ndeshjes. Pavarësisht, kategorisë ku luhen ju duhet të bëni përpjekje maksimale që gjithçka të shkojë sa më mirë”- theksoi Shulku.
















