Rrugëtimi drejt kompeticioneve europiane, skuadrat shqiptare mësojnë kundërshtarët - FSHF

Rrugëtimi drejt kompeticioneve europiane, skuadrat shqiptare mësojnë kundërshtarët

Është hedhur ditën e sotme në Nion të Zvicrës shorti për raundin e parë kualifikues të UEFA Champions League si edhe shorti për raundin e parë kualifikues të kompeticionit më të ri të Europës, që nis nga ky sezon futbollistik, UEFA Conference League.

Një ditë më parë, qeveria e futbollit europian, UEFA, bëri publike vazot e ndara për ekipet që kishin siguruar një biletë për këtë tur të parë, për të dyja kompeticionet, duke u njohur kështu me kundërshtarët e mundshëm.

Shqipëria do të përfaqësohet në UEFA Champions League nga ekipi i Teutës, që u shpall kampione e Kategorisë Superiore në këtë edicion futbollistik.

Shorti i vendosi përballë ekipit durrsak skuadrën moldave të Sherif Tiraspol, me ndeshjen e parë që do të zhvillohet në Durrës, në datat 6 ose 7 korrik ndërsa ndeshja e kthimit do të zhvillohet më 13 ose 14 korrik në Moldavi.

Ndërsa në edicionin e parë historik të UEFA Conference League, do të marrin pjesë tre skuadra shqiptare, Vllaznia, Partizani dhe Laçi, që janë njohur sot me kundërshtarët e tyre.

Ekipi kryeqytetas do të përballet me moldavët e Sfintul George, me të kuqtë që do të udhëtojnë fillimisht drejt Moldavisë, ndërsa ndeshja e kthimit do të luhet në Shqipëri.

Nga ana tjetër, shorti i caktoi përballë ekipit të Vllaznisë  boshnjakët e Shiroki Brijeg, me skuadrën shkodrane që do të zhvillojë ndeshjen e parë në transfertë më 8 korrik ndërsa ndeshja e kthimit do të luhet në Shkodër më 15 korrik.

Ndërsa ekipi i Laçit do të luajë kundër skuadrës malazeze të Podgoricës, fillimisht më 8 korrik në Shqipëri ndërsa ndeshjen e dytë në Mal të Zi më 15 korrik.

Finalja e këtij kompeticioni do të zhvillohet në Tiranë, në stadiumin kombëtar “Air Albania”, më 25 maj.