Rrëfimi i Xhebrahimit, nga hapat e parë në futboll e deri te thirrja në Kombëtare - FSHF

Rrëfimi i Xhebrahimit, nga hapat e parë në futboll e deri te thirrja në Kombëtare

Për Amardën, futbolli nuk është thjesht një lojë. Pavarësisht paragjykimeve, ajo ka nisur të luajë futboll që kur ishte e vogël, derisa në moshën 15 vjeçare realizoi ëndrrën e saj duke u bërë pjesë e ekipit të Kinostudios, klub ku luan ende sot. Koha që i kushton futbollit është më e madhe se koha që i kushton mësimeve dhe familjes.

E sapogrumbulluar me Kombëtaren e madhe, duke marrë ftesën nga trajneri Grima, në grumbullimin që Kombëtarja zhvilloi në Ulqin në Mal të Zi, ajo shprehet e vlerësuar dhe thekson se do të vijojë të punojë më shumë, në mënyrë që një ditë të bëhet pjesë e formacionit si titullare.

Në një intervistë për rubrikën “Talenti Shqiptar” në fshf.org, teksa pyetet mbi vëmendjen që po i kushtohet futbollit të femrave, nga ana e FSHF, Xhebrahimi beson se numri i vajzave do të shtohet dhe se vë re në këtë kampionat më shumë rivalitet mes ekipeve. Në intervistën më poshtë, futbollistja e Kinostudios dhe e Kombëtares shqiptare rrëfen jetën e saj futbollistike.

 

– Na flit pak për hapat e tu të parë në futboll. Si lindi dëshira dhe pasioni për futboll? Cili ishte njeriu i parë që të afroi me këtë sport?

– Hapat e mia të para në futboll i kam pasur në shkollën 9-vjeçare, në kohët kur zhvillonim shumë aktivitete të ndryshme mes shkollave. Sa më shumë luaja futboll, aq më shumë kuptoja se ky sport më tërhiqte drejt vetes. Më pas ishte babai im i cili më shtyu ta ndiqja këtë lojë, pavarësisht të gjitha paragjykimeve. Ai më regjistroi në një nga ekipet e moshave në Tiranë, ku u zhvillova shumë, derisa në moshën 15-vjeçare u bëra pjesë e ekipit të Kinostudios, klub për të cilin luaj edhe sot e kësaj dite.

 

– Si është marrëdhënia jote me grupin dhe trajnerin?

– Kemi një marrëdhënie shumë të mirë me njëra-tjetrën dhe një bashkëpunim mjaft të frytshëm. Për mendimin tim, bashkëpunimi në grup është shumë i rëndësishëm për ecurinë e skuadrës. Edhe me trajnerin kemi një marrëdhënie shumë të mirë.

 

– Si e përjetove momentin kur more ftesën e parë nga Kombëtarja?

– Besoj se çdokujt që i është bërë kjo pyetje është përgjigjur se ka qenë një moment i veçantë. Ashtu edhe unë, nuk e përshkruaj dot ditën kur mora ftesën, kam pasur shumë emocione. Është një nga ato momentet që çdo njeri në fushën e tij do t’i përjetojë, unë për shembull e kisha ëndërr të isha pjesë e Kombëtares, dikush tjetër ka dëshirë të jetë pjesë e një institucioni, etj. Tani nuk është më thjesht një ëndërr, por jam në realitet.

 

-Si e sheh kampionatin deri tani, në krahasim me sezonin e kaluar?

– Ky sezon ka më shumë rivalitet. Nga viti i kaluar në këtë vit, kampionati ka pësuar një rritje, kemi më shumë skuadra, në të cilat realisht shikoj kundërshtare mjaft të forta.

 

-Cili ka qenë momenti apo episodi më i lumtur në karrierën tënde deri tani ?

– Kam pasur momente të lumtura me klubin, por do të doja të veçoja episodin më të fundit, ku mora ftesën nga trajneri Armir Grima për të qenë pjesë e grumbullimit të Kombëtares së madhe në Ulqin. Është vlerësim i madh për të gjithë punën që kam bërë deri tani dhe më motivon që të punoj akoma edhe më shumë, që një ditë të jem pjesë e formacionit si titullare.

 

-Cila është sakrifica më e madhe që ke bërë për futbollin ?

– Futbolli është një sport që e dua shumë dhe për këtë arsye, në moshën që jam disa sakrifica, unë gjykoj, se duhen bërë. Një ndër to është pjesa e studimeve, por kjo nuk do të thotë aspak se nuk studioj. Mendoj se duke qenë një nxënëse e mirë, mund t’ia dal të bëhem edhe një futbolliste e mirë dhe e anasjellta.

 

-Çfarë synimi ke për të ardhmen?

– Për momentin jam e fokusuar te Kinostudio. Normalisht që dëshira e çdokujt është që të bëhet pjesë e skuadrave elitare në Europë, por siç thashë, unë jam e fokusuar në këtë ekip.

 

-Cila është këshilla më e vyer që ke marrë dhe nga kush ?

– Këshillat më të vyera vijnë nga njerëzit më të afërt dhe kujtoj gjithmonë familjarët e mi që më kanë thënë se duhet të qëndroj me këmbë në tokë, pavarësisht se sa lart mund të ngjitem në karrierë. Edhe nëse bie, sërish të gjej forcat të ringrihem. Kur isha e vogël ndoshta nuk i kuptoja aq shumë, por tani që po rritem, po filloj t’i kuptoj fjalët e tyre.

 

-Si e vlerëson faktin që Federata Shqiptare e Futbollit po i jep prioritet futbollit të femrave?

– E vlerësoj vërtetë shumë pasi mendoj se do të shtohet numri i vajzave që luajnë futboll. Madje ne e shohim që këtë vit në kampionat që kemi më shumë skuadra në kampionat dhe kemi më tepër rivalitet. Kjo na bën të punojmë më shumë.

 

-Cili është idhulli yt në kombëtaren ideale?

– Eros Grezdën e kam ndjekur gjithmonë si shembull dhe është idhulli im. Më pëlqen mënyra se si luan, shumë i shpejtë dhe di se ku ta dërgojë topin kur është në fushë.

 

-Çfare mesazhi i jep vajzave që i thuhet se futbolli është vetëm për djem?

– Do të doja t’i thoja të gjitha vajzave që e pëlqejnë këtë sport që të vazhdojnë me ëndrrën e tyre pasi futbolli është një sport që jo vetëm është i bukur, por ka edhe një sërë përfitimesh të tjera, si për shembull, mbajtja e trupit në formë. Paçka paragjykimeve, apo fjalëve që thonë njerëzit, e rëndësishme është të dëgjojnë zemrën.